Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do t’i ftojë në takim krerët e partive opozitare, për të diskutuar për çështjen e presidentit.Por, ai ka thënë se fillimisht do të ketë konsultime të brendshme partiake.
Por, sa janë shanset që Kosova të ketë president të ri brenda afatit kushtetues dhe të shmangen zgjedhjet e reja?Lidhur me këtë, për Gazeta Blic është deklaruar ish diplomatja Alma Lama.
Ajo vlerëson se kjo do të varet nga vullneti i Kurtit, i cili nëse është serioz dhe takohet me opozitën për t’u marrë vesh, do të gjendet zgjidhje.“Marrëveshja varet nga vullneti i Kryeministrit Kurti i cili i ka 51% të votave. Nëse ai do të tregohet serioz dhe të takohet me krerët e opozitës për t’u marrë vesh, nuk besoj se është problem gjetja e zgjidhjes. Nëse do të veprojë ai më herët, kur i ftonte në takime por nuk ishte i gatshëm për kompromis, rezultati dihet: dështim”, është shprehur Lama.
Si mundësi ajo sheh edhe mos shkuarjen e opozitës në takim dhe të kërkojë zgjedhje.“Por ka dhe një mundësi tjetër, që opozita mos t’i shkojë në takim më dhe të kërkojë zgjedhje sepse Kurti po frikësohet nga zgjedhjet”, ka vlerësuar ajo për Gazeta Blic.
Sipas Lamës, Kurti duket se nuk është i gatshëm të pranojë president nga opozita, ndërsa kjo e fundit nuk është në gjendje të ofrojë kandidat të përbashkët.“Mendoj se zgjedhjet e parakohshme gjithmonë mund të shmangen nëse ka bashkëpunim, por me sa e shoh unë situatën, bashkëpunimi është i pamundur. Kurti nuk duket se është i gatshëm të pranojë një president nga opozita, ndërsa opozita nuk është në gjendje të ofrojë një kandidat të përbashkët”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/



