Në kuadër të Forumit “Rruga e Mëndafshit” në Tbilisi Gjeorgji, pata kënaqësinë të zhvilloj një takim shumë përmbajtësor me Zëvendësministrin e Transportit të Republikës së Turqisë, z. Osman Boyraz.
Diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e transportit dhe infrastrukturës duke theksuar rëndësinë e projekteve që rrisin lidhshmërinë rajonale, efikasitetin e logjistikës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Turqia mbetet një partner strategjik dhe mik i çmuar i Maqedonisë së Veriut, me të cilën ndajmë vizionin e përbashkët për zhvillimin e një rrjeti modern, të sigurt dhe të integruar transporti, në përputhje me standardet evropiane dhe me parimet e Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T).
Ky takim riafirmoi përkushtimin tonë për bashkëpunim të thelluar institucional dhe shkëmbim përvojash, me fokus në digjitalizimin e shërbimeve të transportit, mobilitetin e gjelbër dhe ndërlidhjen infrastrukturore midis rajoneve.
Bashkëpunimi ynë i sotëm është investim për lëvizshmërinë e nesërme.