Zëvendësministri i Jashtëm rus thotë se Moska nuk po e kërcënon askënd me armë bërthamore

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se Moska nuk po kërcënon askënd me armë bërthamore, transmeton Telegrafi.

Sergei Ryabkov shtoi se konfrontimi i hapur me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n nuk është në interesin e Rusisë, raportojnë agjencitë e lajmeve.

Siç raportohet, ai tha se marrëdhëniet midis Moskës dhe Washingtonit janë “afër zeros”.

Ndërkohë, një zyrtar rus tha se “nuk do të kishte fitues në një luftë bërthamore dhe se lufta nuk të bëhet kurrë”, sipas TASS.

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, ka thënë se dëshiron të besojë se Moska dhe Washingtoni nuk janë në prag të rënies në “greminën e një konflikti bërthamor”, njoftoi agjencia e lajmeve RIA Novosti.

Ndërkohë, komentet e Ryabkov duket se janë në kundërshtim me ato të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili tha se “do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion”, duke shtuar se “nuk po bënte bllof”.

Dje, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha se Rusia mund të përdorë “armë strategjike bërthamore” për “mbrojtje”.