Mustafa Dauti zhvilloi sot një vizitë pune në pikën kufitare Qafë Thanë, me qëllim të vlerësimit të funksionimit të përgjithshëm, organizimit të punës dhe kushteve në këtë pikë kufitare me rëndësi të veçantë për qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave.
Gjatë vizitës, u diskutua mbi fluksin e udhëtarëve, koordinimin ndërinstitucional dhe zbatimin efikas të konceptit One Stop Shop, i cili synon thjeshtimin e procedurave kufitare dhe uljen e kohës së pritjes për qytetarët dhe operatorët ekonomikë. U theksua se në nivel vjetor, në pikën kufitare Qafë Thanë qarkullojnë mbi 3.000 kamionë me ngarkesë, çka dëshmon rolin e saj strategjik në qarkullimin e mallrave dhe në mbështetje të aktivitetit ekonomik.
Z.Dauti theksoi rëndësinë e vazhdimit të investimeve në efikasitet, koordinim dhe burime njerëzore, duke nënvizuar se përmirësimi i shërbimeve kufitare mbetet prioritet institucional, në funksion të një kalimi më të shpejtë, më të sigurt dhe më të organizuar për të gjithë qytetarët.





