Zeqirija Ibrahimi: Plakut të Zajazit po i rrëshqet prej duarsh pushteti, më 2 nëntor marrin fund

Njëri nga liderët e VLEN, Zeqirija Ibrahimi në një postim në rrejtet sociale thekson se opozita assesi nuk mund të pajtohet me sukseset e VLEN-it në këtë një vit e gjysmë qeverisje dhe nuk mund ta falin që ne siç thotë, “kemi zgjidhur probleme të komunave që ata për 20 vjet i kishin lënë në harresë”.

Ibrahimi shton se ka mirëkuptim për Ali Ahmetin apo Plakun e Zajazit siç e quan ai, që po i rrëshqet prej duarsh pushteti dhe siç shton, “ka të drejtë që është nervoz e që reagon me histeri, si në konferencën për shtyp, kur donte t’i rrahë gazetarët, që t’i bindë se ai është fituesi dhe kur shqiptarët që nuk e kanë votuar atë i quajti “serbë të Gazimestanit”.

“Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ashtu siç afrohet dita zgjedhore, në proporcion të drejtë rritet edhe doza e një patriotizmi të shpifur të disa sehirxhinjve që e mbajnë veten edhe si opinionxhinj, ndërsa deri dje kur u thoshe “Tungjatjeta!”, ta kthenin “Zdravo!””, shkruan Ibrahimi.

Prandaj, duke e zbuluar fytyrën e tyre të zymtë e të dëshpëruar, shton ai, ua rikujtojmë qytetarëve se “patriotizmi” si ky është strehë e qyqarëve dhe se gjithë kjo përfundon më 2 nëntor, kur kjo klasë politike, me gjithë makinerinë propagandistike të paguar shtrenjtë, marrin fund.

“Ata që nuk kanë thënë asnjë llaf kur gratë shqiptare tërhiqeshin zvarrë nga Jankullovska, ata që bëheshin pula kur vriteshin komandantët e UÇK-së dhe partia e Plakut të Zajazit bënte sefa në qeveri, ata që bënin të shurdhëtin kur rriheshin fëmijët shqiptarë nëpër autobusë, ata që tuten t’i përmendin rastet e montuara, si ‘Alfa’, ‘Monstra’ e ‘Lagja e Trimave’ sepse i druajnë Plakut të Zajazit, ata që krejt karrierën e kanë ndërtuar nga njëri grazhd te tjetri, tash përnjëherë rilindin si patriotë, që aq shumë ofendohen që patriotizmi nuk është më mbulesë e mjaftueshme e korrupsionit dhe amoralitetit”, shkruan mes tjerash Ibrahimi.

Lideri i Alternativës thekson se rreth 300 milionë euro janë ndarë për komunat gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së tyre, prej të cilave mbi 80 milionë vetëm për komunat me shumicë shqiptare, duke realizuar qindra projekte të ndryshme, që e kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Dhe gjithë kjo pa asnjë aferë korrupsioni, pa ‘Soravia’ dhe pa abuzim të zyrave për amoralitet. Këtë nuk mund ta kapërdijnë pseudopatriotët. Këtë nuk mund ta falin assesi dhe prandaj i ka kapur kjo histeri që ua ka humbur ekuilibrin deri në masën që kritikën e kanë shndërruar në ofendim, përbaltje, shpifje, denigrim dhe kualifikim të ulët.
Durim edhe disa ditë veç, sepse – si ishte ajo – ‘këndej sa bukur, andej sa zi, o AKI’”, shkruan mes tjerash, Zeqirija Ibrahimi.