Zendeli: Krenar Lloga të dorëhiqet nëse nuk pajtohet me ndryshimet e Kodit Penal (Video)

Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, ka kërkuar sot nga Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, që të dalin dhe të proponcohen nëse mbështesin propozimin e Qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal, që sipas tij, nënkuptojnë edhe kthimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në vend. Zendeli, tha se Lloga duhet të dorëhiqet nga detyra e ministrit të Drejtësisë, nëse nuk pajtohet me propozimin për ndryshimet në Kodin Penal, të cilin e ka nënshkruar zëvendësi i tij.

“Ne kemi dyshime të thella dhe të bazuara se ndryshimet e Kodit Penal po propozohen edhe sepse eksponentë të lartë të BDI-së, por edhe të LSDM-së, e dinë se pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në opozitë dhe prandaj duan të krijojnë kornizë që mos t’i kapë ndjekja penale. Se për çfarë frikësohen, ata e dinë më së miri, ndërsa ne do ta marrim vesh vetëm pasi që ta kemi në dorë pushtetin, kur do të kemi qasje në krejt të palarat e këtij pushteti antipopullor.

Ajo që bie në sy është se propozim-ndryshimi i Kodit Penal nuk është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, por nga zëvendësi i tij. A dëshiron kështu ASH-ja t’i lajë duart si Pilati dhe të thotë se ajo nuk ka faj për shërbimin që i bëhet Gruevskit? Ne presim që edhe ministri i Drejtësisë, por edhe kreu i ASH-së, të dalin të tregojnë se a pajtohen me këto ndryshime të Kodit Penal. Nëse nuk pajtohen, atëherë më e pakta që mund ta bëjnë si parti që është që ministri Lloga të japë dorëheqje, sepse e dimë tashmë se ata nuk mund të dalin më prej qeverie”, u shpreh Zendeli./Gazeta LAJM