Zemaj: Të vazhdohen masat rigoroze, distanca fizike dhe maskat s’po mbahen

Ndër të tjerash Zemaj bëri të ditur se do të vazhdojnë masat anti-COVID të cilat janë tani dhe kërkoi nga inspektorët dhe zyrtarët policorë që të mbikëqyrin në përpikëri respektimin e tyre.

Ai ka thënë se ka ulje të lehtë të rasteve, teksa ka shtuar se masat kundër COVID-19 duhet të vazhdojnë.

“Ka ulje të rasteve me COVID-19 në 1.16 për qind. Sipas situatës aktuale, duhet të vazhdohet masat rigoroze. Distanca fizike ka filluar të mungojë, maskat gjithashtu”, u shpreh Zemaj.

Zemaj tregoi përqindjen e të infektuarve në institucione dhe në familje.

“Nga numri total janë mësimdhënës 3.67%, policia 1.78%, Forca e Sigurisë 0.36%, gardianët  0.4%, zjarrfikësit 0.2%, të burgosurit 0.4% dhe 85.94% janë raste të konfirmuara brenda institucioneve private dhe familjare.Nga punëtorët shëndetësorë mjekë janë  34.07%, infermierë 59. 2%, farmacitë 4.5% dhe të tjerë 1.6%. Janë tre skenarë që janë paraqitur nga IKSHPK, sipas skenarit të lehtë shkallja e goditjes do të jetë 1% me shkallë të vdekshmërisë 3.3%.Në skenarin mesëm shkalla e goditjes do të jetë 2% me shkallë të vdekshmërisë 5.3% dhe skenari më i ashpër është shkalla e goditjes pritet të jetë 3% e popullatës, me shkallë të vdekshmërisë me 7.1%.Deri më 21 shkurt 2021 duke marrë për bazë numrin e rasteve pozitive dhe të vdekjeve nga COVID-19, numri  i të sëmurëve do të vijojë nga 312 raste në 321 raste, mesatarja 317 raste në 100 mijë banorë ku do të paraqiste një rritje prej 6%, e ku numri i të vdekurve  nga 4 deri në 5 vdekje brenda ditës”, tha Zemaj.

Ai shtoi se bazuar në situatën epidemiologjike dhe me të njëjtat standarde me vendet evropiane duhet të vazhdohen masat  rigoroze dhe përkufizimi i lëvizjes dhe aktiviteteve sipas rezultatit nëpër komuna, duke i klasifikuar ato në bazë të tri mënyrave të cilat ne po i përdorim, kuq verdh dhe gjelbër.

“Të vazhdojë zbatimi i masave me kontrolle rigoroze nga policia dhe inspektorët, në çdo institucion privat e publik.Me mbikëqyrje të brendshme nga task-forcat dhe të ketë kufizime në të gjitha degët e ekonomisë ku ka grumbullime të njerëzve.Sot do të kërkojmë të dhëna nga policia dhe task-forcat. Përdorimi i maskave, mbajtja e distancës, dezinfektimi duhet të vazhdojë. Inspektorët duhet patjetër të respektojnë ligjin anti-COVID dhe të ndërmerren masa në rast të mos-zbatimit në të gjitha sektorët.Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës antiCOVID në sasi të mjaftueshme, prej 75% të popullatës sonë.Pres që sipas planit për vaksinim anti-COVID të zbatohen nga të gjitha nivelet e përkujdesjes shëndetësore duke filluar nga ajo primare”, shtoi ai.