Zelensky: Ukraina do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, me ose pa Orbanin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pavarësisht nga qëndrimi i kryeministrit hungarez Viktor Orbán.

Zelensky gjatë një konference për shtyp me kryeministrin holandez Dick Schoof, i bëri këto komente.

Ai shprehu besimin se populli hungarez e mbështet Ukrainën në çdo rast.

“Ukraina do të jetë në Bashkimin Evropian, me ose pa Orbán, sepse kjo është zgjedhja e popullit ukrainas”, theksoi Zelensky.

Presidenti ukrainas komentoi mbi mundësinë e ndryshimit të rregullave të procedurës në mënyrë që të mos kërkohet një vendim unanim për zgjerimin e BE-së.

“Ndryshimi i procedurës do të thotë të gjesh një rrugë pa Hungarinë. Kur shumica, të gjitha vendet përveç Hungarisë, mbështesin Ukrainën, ata e kuptojnë se si duhet të bëhet”, tha ai.

Zelensky gjithashtu kujtoi se Ukraina kishte përmbushur të gjitha kërkesat teknike për hapjen e grupit të parë në negociatat e pranimit në BE.