Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se presidenti amerikan, Donald Trump, “jeton në hapësirë dezinformimi”, duke aluduar në siç ka thënë dezinformatat që lëshohen nga Rusia.
Sipas tij, Rusia këto dezinformata ia përçon edhe SHBA-së, raporton The Guardian.
Zelensky ka shtuar se sondazhet tregojnë se 58% e ukrainasve i besojnë atij, kështu që siç ka thënë, nëse dikush dëshiron ta zëvendësojë atë, kjo nuk do të funksionojë.
“Pra, nëse dikush dëshiron të më zëvendësojë mua tani, kjo nuk do të funksionojë”, ka thënë Zelensky.
“Fatkeqësisht, Presidenti Trump, me gjithë respektin e duhur për të si lider i një kombi që ne e respektojmë shumë… po jeton në këtë hapësirë dezinformimi”, ka shtuar ai.
Komentet e tij vijnë pasi Trumpi pretendonte ditë më parë se Zelensky , i cili ka fituar një mandat pesëvjeçar në vitin 2019, ka pësuar rënie të besimit.
Zelensky ka thënë po ashtu se do të kërkojë të mbledhë më shumë të dhëna për besimin tek liderët kryesorë globalë për të kundërshtuar dezinformimin rus.
“E gjitha kjo është shqetësuese. Gjithçka që ata po bëjnë është të sigurohen që Ukraina është e dobët”, është shprehur Zelensky.