Zelensky thotë se nuk ka frikë nga Trumpi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nuk ka “frikë” nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ka hedhur poshtë raportimet se takimi i tyre i fundit në Washington, në tetor, ishte i paqëndrueshëm. Zelensky në intervistë për “The Guardian” tha se ka marrëdhënie të mira me presidentin e SHBA-së.

Ai tha se mbreti Charles III ka ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve me Trumpin dhe e përshkroi monarkun britanik si “mbështetës të madh” të Ukrainës.

Zelensky po fliste pas sulmeve të rënda ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, të cilat çuan në ndërprerje të rrymës në shumicën e rajoneve ukrainase të dielën.

Gjatë intervistës për “The Guardian”, rryma u ndal dy herë.

Zelensky mohoi pretendimet se Trumpi kishte hedhur mënjanë hartat e fushëbetejës gjatë takimit në tetor në Shtëpinë e Bardhë. Zelensky kishte shkuar me shpresën që të siguronte furnizime me raketa amerikane “Tomahawk”.

“Ai nuk hodhi asgjë. Jam i sigurt”, ka thënë Zelensky.

Ai e përshkroi marrëdhënien si “normale”, “të ngjashme me marrëdhënie biznesi” dhe “konstruktive”.
Sipas “Financial Times”, Trump thuhet se i kishte bërë presion Zelenskyt që t’i pranonte kushtet maksimaliste të presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës dhe tha se udhëheqësi rus do ta “shkatërronte” Ukrainën nëse nuk binte dakord. Zelensky tha se takimi u zhvillua ndryshe.

Ai tha se delegacioni i Ukrainës ia paraqiti Trumpit masat e njëpasnjëshme, përfshirë armët dhe sanksionet ekonomike që “do ta dobësonin” Moskën. Qëllimi ishte të zvogëlohej aftësia e Rusisë për ta bombarduar Ukrainën dhe për ta detyruar Putinin të ulej në tryezën e negociatave.

Duke folur nga pallati presidencial në Kiev, Zelensky tha se “të gjithë në botë” ia kanë frikën Trumpit.

“Kjo është e vërteta”, thotë ai.

I pyetur nëse kjo vlen edhe për të, ai tha: “Jo…ne nuk jemi armiq me Amerikën. Ne jemi miq. Atëherë pse duhet të kemi frikë?”

“Trumpi u zgjodh nga populli i tij. Ne duhet ta respektojmë zgjedhjen e bërë nga populli amerikan, ashtu siç unë jam zgjedhur nga populli im. SHBA-ja është partnere jonë strategjike, për shumë vite, ndoshta edhe dekada dhe shekuj”, tha ai.

Zelensky ka treguar se mbreti Charles III ka luajtur rol të rëndësishëm prapa skenave për ta inkurajuar presidentin amerikan Trump që ta mbështesë Ukrainën.

“Nuk i di të gjitha detajet, por e kuptoi se Madhëria e Tij i dërgoi disa sinjale të rëndësishme presidentit Trump”, tha Zelensky.

Ai ka treguar se Trump e respekton shumë mbretin Charles III dhe se e konsideronte “shumë të rëndësishëm”.

Disa sekonda pasi Zelensky nisi intervistën, pallati Mariinskyi në Kiev mbeti në errësirë.

Megjithatë, një gjenerator rezervë i pallatit u ndez, dritat u vendosën në veprim.

“Këto janë kushtet tona të jetesës”, tha Zelensky. “Është normale. Kemi luhatje me energjinë elektrike në Kiev, si kudo tjetër”.

Ai tha se Putin po urdhëron “sulme terroriste” në sistemin energjetik të Ukrainës, duke vrarë civilë dhe duke i lënë ata pa rrymë e ujë.

“Ai nuk mund të krijojë tensione brenda shoqërisë sonë, në asnjë mënyrë tjetër”.

I pyetur nëse Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar po bëjnë mjaftueshëm përpara një dimri të ftohtë dhe të errët, Zelensky tha: “Nuk është kurrë mjaftueshëm. Është mjaftueshëm kur mbaron lufta. Dhe mjaftushëm kur Putini e kupton se duhet të ndalet”.

Zelensky ka thënë se do të mirëpriste trupa nga shtetet perëndimore si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare paqeje.

Por, ai tha se çështja e një pranie të armatosur evropiane në Ukrainë, ndërsa luftimte janë të ashpra, duhet trajtohet me kujdes.

“Udhëheqësit kanë frikë nga shoqëritë e tyre. Ata nuk duan të përfshihen në luftë”, tha Zelensky.

Zelensky ka thënë se Rusisë i janë vrarë apo plagosur rreth 25 mijë ushtarë vetëm në tetor – një shifër rekorde.

Po ashtu presidenti ukrainas ka thënë se Rusia po zhvillon luftë hibride kundër Evropës dhe po i teston vijat e kuqe të NATO-s.

Ai thotë se është plotësisht e mundur që Rusia të hapë një front të dytë kundër një vendi tjetër evropian, para se të mbaronte lufta në Ukrainë.

“Unë besoj se po. Ai mund ta bëjë këtë. Duhet të harrojmë skepticizmin e përgjithshëm evropian se Putini së pari dëshiron ta pushtojë Ukrainën dhe pastaj të shkojë diku tjetër. Ai mund të bëjë dyjat në të njëjtën kohë”, tha Zelensky.

Zelensky e përshkruan Rusinë si vend të madh dhe agresiv që i duhet një kundërshtar i madh i jashtëm për t’i bashkuar grupet e ndryshme etnike dhe rajonet.

Zelensky thotë se Putini i sheh SHBA-në dhe Perëndimin si armiq.

“Të miqësohet me Rusinë nuk është zgjidhje për Amerikën. Për sa i përket vlerave, Ukraina është shumë më afër SHBA-së sesa Rusia”, tha Zelensky.