Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se më shumë se 20 persona u vranë “në sulmin brutal” rus në një fshat në lindje të Ukrainës, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përgjigjet “në mënyrën e duhur”.
Zelensky tha se sulmi “kishte në shënjestër njerëzit, qytetarët e thjeshtë”. Ai tha se sulmi ajror goditi fshatin Jarova në rajonin e Donjeckut më 9 shtator.
Sulmi u krye disa orë pasi Moska tha se forcat ukrainase kryen sulme me dronë dhe raketa në dy qytete në pjesët e okupuara nga rusët në rajonin e Donjeckut, duke lënë të vrarë dy persona.
“Një sulm brutal dhe i tmerrshëm rus në vendbanimin rural të Jarovit në rajonin e Donjeckut”, shkroi Zelensky në X. “Sulm i drejtpërdrejtë ndaj njerëzve. Qytetarëve të zakonshëm. Në momentin kur po shpërndaheshin pensionet. Sipas informacioneve fillestare, mbi 20 persona janë vrarë”, shkroi ai.
Ai po ashtu u bëri thirrje ndërkombëtarëve për përgjigje të përshtatshme ndaj këtij sulmi.
“Rusët po vazhdojnë të shkatërrojnë jetën tonë, teksa po shmangin sanksione të reja të ashpra”, tha ai. “Bota nuk duhet të ri e heshtur. Kërkohet një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara. Kërkohet një përgjigje nga Evropa. Kërkohet një përgjigje nga G20-ta. Veprime të fuqishme kërkohen për ta detyruar Rusinë të ndalet”.
Ndërkaq, nga sulmet ukrainase në dy qytete në pjesët e pushtuara të rajonit lindor të Ukrainës, Donjeck, dy persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në këto sulme, sipas Denis Pushilin, kreut të vendosur nga Rusia në rajonin e Donjeckut. Forcat ukrainase goditën shënjestrat në qytetin Donjeck dhe në Makivka, një qytet industrial në veri të rajonit të Donjeckut, tha Pushilin të hënën vonë.
Zyrtarë të sigurisë në zonat e pushtuara thanë se të paktën 20 dronë u përdorën në dy sulmet dhe se njësitë e mbrojtjes ajrore u aktivizuan. Agjencitë ruse të lajmeve cituan zyrtarët të kenë thënë se shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin Donjeck.
Një ndërtesë banimi nënteksteshe në Makivka u godit nga një dron, dhe video në rrjete sociale shfaqën sulme me raketa, përfshirë ndaj një fabrike të dikurshme të sistemeve ushtarake të mbikëqyrjes në Donjeck.
Zyrtarët ukrainas nuk i kanë komentuar këto sulme.
Forcat ruse kontrollojnë rreth 75 për qind të rajonit të Donjeckut dhe po bëjnë përpjeke ta pushtojnë edhe pjesën e mbetur të tij.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të mbrëmjes të hënën se forcat ruse po i përqendrojnë sulmet e tyre kundër sektorit energjetik ukrainas.
Këshilltari kryesor i Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se kishte biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me sulmet ruse ndaj qyteteve dhe ndërtesave të banimit në Ukrainë. Ai gjithashtu mori pjesë në një videokonferencë me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Yermak tha se qëndrimi i Ukrainës përballë agresionit rus duhet të forcohet pas sulmit ndaj një ndërtese qeveritare gjatë fundjavës, e cila u godit gjatë sulmit më të madh ajror rus ndaj Ukrainës.
Kjo ishte hera e parë që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt 2022 që forcat ruse goditën një ndërtesë qeveritare në Kiev.
“[Presidenti rus Vladimir] Putin e kupton vetëm forcën, nuk dëshiron të ndalojë luftën. Është e nevojshme të vazhdojë presioni ndaj Federatës Ruse”, shkroi Yermak në Telegram.
Mbështetje shtesë për Ukrainën, sidomos mbrojtje ajrore dhe sanksione shtesë ndaj Rusisë, u diskutuan me këshilltarët evropianë, tha Yermak.
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës tha, pa dhënë hollësi, se ishte i gatshëm të kalonte në fazën e dytë të sanksioneve ndaj Rusisë.
I dërguari i BE-së për sanksione ndodhet në Uashington me një ekip ekspertësh për të diskutuar hapat e parë të koordinuar mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë që nga kthimi i Trumpit në detyrë.
Trump, i cili premtoi kur mori detyrën në janar se do ta përfundonte shpejt luftën, ka vendosur disa herë afate për Moskën që ta pranonte armëpushimin ose të përballej me sanksione më të ashpra, por është tërhequr nga kërcënimi çdo herë./REL