Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se janë pothuajse 20 vende janë të interesuara të bëjnë marrëveshje me Ukrainën për dronë, dhe se katër marrëveshje tashmë janë nënshkruar.
Që nga shpërthimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit, Zelensky ka arritur të shfrytëzojë ekspertizën e Ukrainës në luftën me dronë në një seri marrëveshjesh të suksesshme diplomatike gjatë vizitave në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
“Pothuajse 20 vende janë aktualisht të përfshira në faza të ndryshme: 4 marrëveshje janë nënshkruar tashmë dhe kontratat e para sipas këtyre marrëveshjeve tani janë duke u përgatitur”, ka thënë Zelensky në X.
Në prill, Ukraina ka nënshkruar marrëveshje mbrojtjeje dhe dronësh në Gjermani, Norvegji dhe Holandë, pas partneriteteve afatgjata të sigurisë me Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të marsit.
Ukraina gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje muajin e kaluar me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për mbrojtjen dhe energjinë.
Në postimin e tij, Zelensky ka thënë gjithashtu se Ukraina do të nisë bashkëpunimin e sigurisë në kuadër të marrëveshjeve me dronë me një pjesë tjetër të botës, pa specifikuar se cilën.
Ukraina tashmë ka filluar të marrë vëllimin e nevojshëm të karburantit falë marrëveshjeve, ka shtuar Zelensky, pa dhënë hollësi.
Presidenti ukrainas shpreson se diplomacia e tij me dron mund të ndihmojë në sigurimin e marrëveshjeve të furnizimit me energji me shtetet e Lindjes së Mesme, si dhe në tregjet për prodhimet bujqësore të Ukrainës.



