Zelensky shkarkon ministrat e akuzuar për përfshirje në skemën e ryshfetit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ndërmarrë hapa për të frenuar zemërimin në rritje të publikut në Ukrainë për shkak të një skandali korrupsioni në sektorin e energjisë, duke shkarkuar dy ministra të cilët akuzohen për përfshirje në një skemë ryshfeti.

Presidenti i Ukrainës ka thënë se ministri i Drejtësisë, Herman Halushchenko dhe ministrja e Energjisë, Svitlana Grynchuk nuk mund të vazhdojnë më në punët e tyre.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për sanksione personale kundër mikut dhe ish-partnerit të tij në biznes Timur Mindich, organizatorit të dyshuar të skemës.

“Duhet të ketë integritet maksimal në sektorin e energjisë, në absolutisht të gjitha proceset. Unë mbështes çdo hetim të kryer nga zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe ata kundër korrupsionit. Ky është një qëndrim absolutisht i qartë dhe i qëndrueshëm për të gjithë”, ka thënë ai, raporton The Guardian.

“Tani për tani, është jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë në Ukrainëm, të përballojnë ndërprerjet e energjisë, sulmet dhe humbjet ruse. Është absolutisht e papranueshme që, mes gjithë kësaj, të ketë edhe disa skema (korrupsioni) në sektorin e energjisë”, ka shtuar ai.

Kjo çështje po shndërrohet në një krizë të madhe politike për presidentin. Aktivistët kundër korrupsionit, politikanët e opozitës dhe veteranët e ushtrisë i kanë kërkuar Zelenskyt të ndërmarrë veprime vendimtare, edhe nëse kjo do të thotë shkarkimin dhe burgosjen e dhimbshme të njerëzve që ai i njeh personalisht.

Kjo vjen pas një hetimi 15-mujor nga byroja kombëtare kundër korrupsionit (Nabu) e Ukrainës ndaj kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom.

I dyshuari kryesor, Mindich, është një biznesmen i cili bashkëthemeloi Kvartal 95, kompaninë e prodhimit mediatik të Zelenskyt.

Mindich thuhet se iku jashtë vendit, ndoshta në Izrael, disa orë para se hetuesit të mbërrinin në apartamentin e tij në Kiev për të kryer një kontroll. Ai më parë ishte i afërt me Zelenskyn, megjithëse burimet thonë se ata kanë pasur pak komunikim që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë.

Ndërkohë, Grynchuk dhe Haluschenko kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të mërkurën. Të dy mohuan të kenë bërë ndonjë shkelje.

Në korrik, Zelensky ka miratuar një projektligj të diskutueshëm që dobësoi fuqitë e Nabu-së dhe zyrës së prokurorit të specializuar kundër korrupsionit. Nuk është e qartë nëse ky veprim ishte i lidhur në ndonjë mënyrë me rastin Mindich, por shpejt shkaktoi protestat e para serioze kundër qeverisë së tij.

Disa mijëra demonstrues u mblodhën jashtë zyrës së presidentit në Kiev pasi parlamenti miratoi masën.

Zelensky u tërhoq përballë opozitës dhe miratoi legjislacion të ri që rikthente pavarësinë e agjencive.

Po atë muaj, shërbimi i sigurisë së Ukrainës arrestoi një detektiv të shquar të Nabu-së, Ruslan Magamedrasulov. Ai u akuzua për biznes me Rusinë dhe ndihmë ndaj një shteti agresor.

Magamedrasulov u paraqit para gjykatës së apelit në Kiev të mërkurën. Ai mbetet në paraburgim.