Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë detaje mbi një plan të përditësuar paqeje, i cili sipas tij, i ofron Rusisë tërheqjen e mundshme të trupave ukrainase nga lindja, të cilën Moska e ka kërkuar.
Duke dhënë detaje mbi planin 20-pikësh të dakordësuar nga negociatorët amerikanë dhe ukrainas në Florida gjatë fundjavës, Zelensky ka thënë se rusët do të japin përgjigjen e tyre pasi amerikanët të kenë folur me ta.
Duke e përshkruar planin si “kornizën kryesore për përfundimin e luftës”, Zelensky ka thënë se ai propozonte garanci sigurie nga SHBA-ja, NATO-ja dhe evropianët, për një përgjigje të koordinuar ushtarake nëse Rusia pushton përsëri Ukrainën.
Lidhur me çështjen kryesore të Donbasit lindor të Ukrainës, Zelensky ka thënë se një “zonë e lirë ekonomike” ishte një mundësi e mundshme.
Plani 20-pikësh shihet si një përditësim i dokumentit origjinal 28-pikësh, të dakordësuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff me rusët disa javë më parë, i cili u pa si i orientuar shumë drejt kërkesave të Kremlinit.
Rusët kanë këmbëngulur që Ukraina të tërhiqet nga pothuajse një e katërta e territorit të saj në rajonin lindor të Donetskut në këmbim të një marrëveshjeje paqeje. Pjesa tjetër është tashmë nën pushtimin rus.
Çështjet e ndjeshme, përfshirë çështjet mbi territorin, do të duhej të zgjidheshin “në nivelin e udhëheqësve”, por drafti i ri do t’i siguronte Ukrainës garanci të forta sigurie dhe një forcë ushtarake prej 800,000 vetësh, ka shpjeguar Zelensky.
Ai u ka thënë gazetarëve se, meqenëse Ukraina është kundër tërheqjes, negociatorët amerikanë po kërkojnë të krijojnë një zonë të çmilitarizuar ose një zonë të lirë ekonomike.
“Ekzistojnë dy mundësi: ose lufta vazhdon, ose diçka do të duhet të vendoset në lidhje me të gjitha zonat e mundshme ekonomike”.
Ai ka theksuar se një zonë ekonomike do të duhej të krijohej edhe rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili aktualisht është i pushtuar nga Rusia, dhe se trupat ruse do të duhej të tërhiqeshin nga katër rajone të tjera ukrainase – Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv.




