Zelensky pas Gjermanisë, kërkon armë edhe në Britani

U kthye sërish në Londër dhe kësaj radhe direkt me helikopter te rezidenca e kryeministrit Rishi Sunak.

Ardhja në Britani është pjesë e turneut të vrullshëm evropian të Volodymyr Zelenskyt, në një përpjekje të radhës për të siguruar edhe më shumë armë për vendin e tij.

Përpara ofensivës së paralajmëruar ukrainase kundër Rusisë, Britania e Madhe premtoi qindra raketa shtesë dhe drone sulmuese, por jo dhe avionë luftarakë, të cilët po i kërkon më ngulm, tash e sa kohë, presidenti nga Kievi.

Sidoqoftë, ky i fundit nuk u dëshpërua ani se nuk mori gjithë cfarë deshi, pasi edhe ato që iu zotuan, i bëjnë goxha punë.

“faleminderit shumë për këtë paketë që përgatitët. E mrekullueshme. E madhe. Vërtet, dicka që mund të shpëtojë shumë jetë” deklaroi kreu ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Nikoqiri Sunak tha se mbështetja britanike për ukrainën do të vazhdojë për aq sa ka nevojë, derisa kërkoi unitet nga të gjitha vendet e aleancës NATO për ta ndihmuar shtetin dhe ushtrinë e Zelenskyt.

Mbretëria e Bashkuar është bërë një nga aleatët kryesorë ushtarakë të Ukrainës, e cila edhe më parë i dërgoi këtij shtetit të Evropës lindore raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe tanke Challenger .

Pos kësaj, Britania ishte vendi që ofroi trajnime militare për më shumë se 15 mijë trupa ukrainase.