Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, theksoi se nëse SHBA furnizon Kievin me raketa të tipit Tomahaëk do të propozojë homologun e tij amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes.
“Nëse SHBA dërgojnë raketat Tomahawk në Ukrainë dhe ndihmojnë në negociatën e një armëpushimi me Rusinë, atëherë Kievi do të propozojë Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes”, tha Zelensky.
Zelensky duke folur për një takim që pati me presidentin e SHBA-së gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të shtatorit, theksoi se nuk pati ndonjë refuzim të drejtpërdrejtë nga ai për furnizimin me këto raketa.
“Gjatë takimit tonë të fundit, nuk dëgjova një ‘jo’. Ajo që dëgjova ishte se puna do të vazhdojë në nivel teknik dhe se ky mundësim do të shqyrtohet”, tha Zelensky për gazetarët në Kiev.
Ai shtoi se nëse Trump ja del për një armëpushim në Ukrainë, sipas tij, përsëri presidenti amerikan e Meriton Çmimin Nobel të Paqes.
“Plani për përfundimin e luftës nuk do të jetë i lehtë, por është padyshim rruga përpara. Dhe nëse Trump mund t’i japë botës, dhe përpara gjithçka popullit ukrainas , mundësinë për një armëpushim të tillë, atëherë po, duhet ta propozojmë për Çmimin Nobel të Paqes”, shtoi ai.
Zelensky gjithashtu theksoi se raketat Tomahawk, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 1.500 kilometra dhe do t’u mundësonin ukrainasve të godisnin objektiva thellë brenda Rusisë, përfshirë deri në Siberi, mund të forcojnë Ukrainën dhe “të bëjnë që rusët të mendojnë më shumë, duke i detyruar ata të ulen në tryezën e negociatave”.
© SYRI.net