Zelensky: Marrëveshja e paqes me Rusinë është 90% e gatshme, 10% e mbetur përcakton të ardhmen e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë është “90% e gatshme”, gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri, i cili u fokusua kryesisht te rezistenca ndaj pushtimit të Moskës. Ai shtoi se 10% e mbetur e marrëveshjes do të “përcaktojë fatin e paqes, fatin e Ukrainës dhe të Evropës”.

Në të njëjtin ditë, presidenti rus Vladimir Putin i tha trupave të tij se “ne besojmë tek ju dhe fitorja jonë”. Më herët, Moska publikoi ato që i quajti prova të përdorimit të dronëve nga Ukraina për të synuar shtëpinë private të Putinit në liqenin Valdai, akuza që Kievi i mohoi fuqishëm. Videoja dhe harta që Moska shpërndau tregonin dronë të supozuar ukrainas të lëshuar nga rajonet Sumy dhe Chernihiv, por BBC nuk ka mundur të verifikojë pamjet.

Kremlini paralajmëroi se Rusia do të rishikojë qëndrimin e saj ndaj negociatave të paqes për shkak të incidentit të supozuar. Megjithatë, kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, e përshkroi këtë si një “shpërqendrim të qëllimshëm” për të penguar procesin e paqes.

Në fjalimin 20-minutësh drejtuar kombit, Zelensky theksoi se Ukraina nuk kërkon paqe “me çdo kusht”, duke shtuar: “Ne duam fundin e luftës – jo fundin e Ukrainës”. Ai paralajmëroi se tërheqja e forcave ukrainase nga Donbasi do të nënkuptonte pranimin e kërkesave maksimaliste të Rusisë për kontroll të plotë mbi zonën industriale. Aktualisht, Moska kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe rreth 99% të Luhanskut.

Zelensky falënderoi udhëheqësit që kanë mbështetur Ukrainën dhe kërkoi që “qëllimet të shndërrohen në garanci sigurie dhe të ratifikohen”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar garanci sigurie për 15 vjet, megjithëse afati për zbatimin e tyre nuk është ende i qartë. “Nënshkrimet nën marrëveshje të dobëta vetëm sa nxisin luftën”, theksoi Zelensky.

Zelensky u shpreh se dëshiron që negociatat e paqes të rifillojnë dhe përshpejtohen këtë muaj me pjesëmarrjen e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se takimi në Paris më 6 janar do të sjellë “angazhime konkrete për të mbrojtur Ukrainën dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Ndërkohë, këshilltarët e Trump diskutuan me Zelenskyn dhe këshilltarët e sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania për forcimin e garancive të sigurisë dhe krijimin e mekanizmave për të parandaluar rifillimin e luftës. Megjithatë, çdo marrëveshje do të kërkojë miratimin e Rusisë, e cila nuk duket se është e gatshme, dhe incidenti i dronit mund ta ketë shtyrë më tej këtë proces.