Zelensky i heq shtetësinë ukrainase kryetarit të Odesës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vendosur t’i heqë shtetësinë ukrainase kryetarit të qytetit të Odesës, Gennadiy Trukhanov, pas dyshimeve se ai zotëron edhe pasaportë ruse, gjë që ndalohet me ligj në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), i cili në një njoftim në Telegram konfirmoi se dekretin për heqjen e shtetësisë e ka nënshkruar vetë presidenti.

“Trukhanov posedon pasaportë të vlefshme ndërkombëtare të shtetit agresor,” tha SBU, duke iu referuar Rusisë, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Në një mesazh video të publikuar pas vendimit, Trukhanov mohoi akuzat, duke deklaruar:

“Nuk kam marrë kurrë pasaportë ruse. Jam qytetar i Ukrainës.”

Ai shtoi se do të vazhdojë të kryejë detyrën e kryebashkiakut për aq kohë sa të jetë e mundur dhe do të ndjekë çështjen në gjykatë.

Pavarësisht deklaratës së tij, në rrjetet sociale janë shpërndarë gjerësisht foto të një pasaporte ruse që pretendohet se i përket Trukhanovit.

Pas heqjes së shtetësisë, qeverisja e qytetit port të Odesës, një nga më të rëndësishmit në Detin e Zi, me rreth 1 milion banorë,  i është kaluar një administrate ushtarake.

Zelensky deklaroi se është informuar nga kreu i SBU-së për përpjekjet për të luftuar rrjetet e agjentëve rusë dhe bashkëpunëtorët në rajonet kufitare dhe në jug të vendit.

Trukhanov ka qenë kryetar i Odesës që nga viti 2014 dhe më herët deputet në parlament. Ai është konsideruar shpesh si politikan me prirje pro-ruse, por pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ka mbështetur ushtrinë ukrainase dhe ka kritikuar publikisht Moskën.