Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është i gatshëm të mbajë zgjedhje në vendin e shkatërruar nga lufta, nëse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ofrojnë sigurinë e nevojshme në mënyrë që votimet të mund të mbahen në mënyrë të sigurt.
Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Ukrainës që të mbajë zgjedhje – presidenti amerikan, Donald Trump, i tha Politico-s në një intervistë të publikuar më 9 dhjetor se “tani është koha” për mbajtjen e zgjedhjeve – edhe pse Kushtetuta e Ukrainës nuk lejon organizimin e votimeve në kohë lufte.
Në një ndryshim nga deklaratat e mëparshme, Zelensky tha se do të kërkojë nga Parlamenti që të hartojë një ligj që do të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve edhe në kohën kur ende është në fuqi gjendja e luftës.
Një votim do të mund të pasonte brenda 60 deri në 90 ditë, nëse arrihet një armëpushim për të ndalur luftën me Rusinë që po vazhdon pothuajse për katër vjet dhe nëse garantohet siguria për procesin zgjedhor.
“Po kërkoj tani, dhe po e them hapur, që SHBA-ja, ndoshta së bashku me partnerët tanë evropianë, të më ndihmojnë për të ofruar sigurinë e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Zelensky për gazetarët më 9 dhjetor, duke theksuar se këtë çështje ende nuk e ka diskutuar me Trumpin.
“Unë personalisht kam vullnet dhe gatishmëri për këtë gjë”, tha ai.
Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë është refuzuar rregullisht, me zyrtarët që thonë se një proces i tillë do të ishte i pamundur për shkak të sulmeve të përditshme ajrore ruse në mbarë Ukrainën, mijëra ushtarëve që luftojnë në vijën e frontit dhe miliona ukrainasve që janë zhvendosur për shkak të luftës.
Sondazhet në Ukrainë thonë se shumica e ukrainasve janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës, megjithëse me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 2019, disa dëshirojnë ndryshime në Qeveri në mënyrë që të ketë ide të reja.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë në kohën kur po mbahen negociata intensive që synojnë dhënien fund të luftës, që nisi më 2022.
Udhëheqësi ukrainas ishte në Itali më 9 dhjetor në kuadër të një turneu në Evropë për të siguruar që propozimi i SHBA-së për ndaljen e luftës të mos rezultojë në një marrëveshje të njëanshme që do të shpërblente Moskën për agresionin ndaj fqinjit dhe do ta linte të cenueshëm Kievin ndaj sulmeve në të ardhmen.
Ai tha përmes një postimi në rrjetet sociale se Ukraina dhe partnerët e saj evropianë së shpejti do t’i paraqesin SHBA-së “dokumente të përpunuara” mbi planin e paqes.
“Komponentët ukrainas dhe evropianë tani janë më të zhvilluar dhe jemi gati t’ia paraqesim partnerëve tanë në SHBA”, shkroi ai.
“Së bashku me amerikanët, ne presim që së shpejti të bëjmë hapa konkretë”.
Thuhet se disa pika mbeten ende për finalizimin e një plani të paqes, përfshirë formulimin e një dokumenti që do të pranohej nga Kievi dhe Moska.
Zelensky i tha Bloomberg News më 8 dhjetor se bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja për një marrëveshje të mundshme paqeje ende nuk kanë prodhuar një ujdi mbi kontrollin territorial në rajonin lindor, të njohur si Donbas, ku Rusia kërkon që Ukraina t’i dorëzojë territoret që ajo vazhdon t’i mbajë.
Më 8 dhjetor, Zelensky zhvilloi bisedime në Londër dhe Bruksel mbi propozimin e paqes. Këto diskutime u zhvilluan pas tre ditësh takime mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë në Majami, teksa negociatorët po përpiqen që të arrijnë një marrëveshje, pasi muajin e kaluar SHBA-ja publikoi një draft-propozim për paqe.
Gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 9 dhjetor, ambasadori i Ukrainës në OKB, Andriy Melnyk, deklaroi se Ukraina nuk është “në shitje”.
“Territori dhe sovraniteti ynë nuk janë për shitje. Nuk jemi në tregun e Krishtlindjeve”, tha ai gjatë një mbledhjeje për Ukrainën.
“Rusia dëshiron që Ukraina të dorëzohet, siç sapo dëgjuam. Rusia dëshiron që ne të kapitullojmë. Por, përgjigja ime për ju do të ishte: ‘Nuk do ta merrni Ukrainën’”, tha Melnyk, duke iu përgjigjur deklaratës së mëparshme të ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya, i cili insistoi se Rusia do të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me çdo mjet të nevojshëm, qoftë ushtarak apo diplomatik.
Ndërkaq, komandanti më i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, deklaroi se trupat ukrainase po vazhdojnë të kontrollojnë pjesë të Pokrovskut, qytet strategjik në Donbas që Rusia pretendon se e ka pushtuar.
“Mbrojtja e Pokrovskut po vazhdon, forcat tona kontrollojnë gati 13 kilometra katrorë në pjesën veriore të qytetit. Mirnohradi nuk është i rrethuar. Në Kupjansk, operacioni ynë i suksesshëm kundër sabotimit po vazhdon”, shkroi ai në Facebook./REL




