Zelensky i bën thirrje Trumpit ta shfrytëzojë momentin edhe për paqe në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje homologut amerikan Donald Trump që të shfrytëzojë momentin e armëpushimit në Gaza për të ndërmjetësuar paqen në Ukrainë, gjatë një bisede telefonike që zhvilluan të shtunën.

Sipas Axios, dy liderët kanë diskutuar kërkesën e Ukrainës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikën për raketat “Tomahawk”, për të forcuar aftësinë e Kievit në sulmet me rreze të gjatë brenda territorit rus, si dhe çështje të tjera. Kjo pason deklaratën e Trumpit se kishte “pothuajse vendosur” për shitjen e raketave “Tomahawk” vendeve anëtare të NATO-s, në mënyrë që ato t’ia japin Ukrainës.

“Nëse një luftë mund të ndalet në një rajon, atëherë padyshim mund të ndalen edhe luftëra të tjera – përfshirë luftën ruse”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale, një ditë pasi Moska ndërmori sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, që shkaktoi ndërprerje të gjera të energjisë në Kiev dhe qytete të tjera.

“E informova presidentin Trump për sulmet e Rusisë ndaj sistemit tonë energjetik – dhe e vlerësoj gatishmërinë e tij për të na mbështetur”, ka shkruar Zelensky në “X”, duke shtuar se kishin pasur një bisedë “shumë pozitive dhe produktive” me “marrëveshje konkrete” për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Telefonata ndodhi në një kohë kur në Kiev po rritet shqetësimi për intensifikimin e sulmeve ajrore ruse dhe aftësinë e Ukrainës për t’i përballuar ato, pasi Rusia po përdor mjete më të sofistikuara dhe po zhvillon kundërmasa më efektive ndaj mbrojtjes ajrore të Kievit.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, paralajmëroi se Rusia po rrit ndjeshëm numrin e sulmeve ajrore.

“Na presin sfida të reja. Gjatë muajit të fundit, armiku ka shtuar numrin e mjeteve ajrore të sulmit dhe megjithëse mbrojtja jonë ajrore është rreth 74% efektive, ne duhet të bëjmë përpjekje shtesë për të mbrojtur sektorin energjetik, infrastrukturën kritike dhe logjistikën”, ka thënë ai.

Vetëm këtë javë, Rusia ka lëshuar 465 dronë sulmues të tipit “Shahed” dhe dronë mashtrues, si dhe 32 raketa lundrimi e balistike kundër Ukrainës.

Bisedimet e fundit mes Trumpit dhe Zelenskyt vijnë në një kohë kur në Uashington po vazhdon debati nëse SHBA-ja duhet të miratojë dërgimin e raketave “Tomahawk” në Ukrainë – një lëvizje që presidenti rus, Vladimir Putin, e ka paralajmëruar si “fazë krejtësisht të re dhe cilësisht më të rrezikshme të përshkallëzimit”.

Kjo telefonatë shënon gjithashtu përmirësim të marrëdhënieve mes presidentit amerikan dhe atij ukrainas. Zelensky ka thënë në fjalimin e mbrëmjes të premten se Rusia po përfiton nga “fakti që bota është pothuajse tërësisht e përqendruar në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme” dhe kërkoi forcim të mbrojtjes ajrore si dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.

“Asetet ruse duhet të përdoren plotësisht për të forcuar mbrojtjen tonë dhe për të siguruar rindërtimin”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, në një deklaratë të përbashkët të premten, shprehën gatishmërinë për të bashkërenduar veprimet me SHBA-në në mënyrë që “vlera e aseteve të ngrira të Rusisë të përdoret për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës dhe për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave”.