Zelensky: Gjermania mik dhe aleat i vërtetë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj pas një takimi me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, si pjesë e vizitës së tij të parë në vend që nga fillimi i pushtimit rus.

Zelensky mbërriti në Berlin nga Roma, ku u takua me zyrtarët italianë dhe Papa Françeskun të shtunën.

Papa ka thënë se Vatikani do të ndihmojë në riatdhesimin e fëmijëve ukrainas që u morën nga rusët.

Presidenti ukrainas mbërriti në Gjermani në mes të natës me një aeroplan të qeverisë gjermane, ndërsa në hapësirën ajrore të vendit u shoqërua nga aeroplanë luftarakë të Forcave Ajrore gjermane.

“Në kohën më sfiduese në historinë moderne të Ukrainës, Gjermania ka treguar se është miku ynë i vërtetë dhe aleati i besueshëm që qëndron me vendosmëri me popullin ukrainas në luftën për të mbrojtur lirinë dhe vlerat demokratike. Së bashku do të fitojmë dhe do të rivendosim paqen në Evropë”, ka shkruar Zelensky në librin e të ftuarve të presidencës gjermane.

Zelensky më vonë pritet të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kabinetin e tij të sigurisë, përpara se të udhëtojë në qytetin perëndimor të Aachen për të marrë çmimin prestigjioz Charlemagne për kontributin e tij në Evropë.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, u përball me kritika në fillim të luftës për hezitimin e saj për të mbështetur Kievin, por është bërë një nga ofruesit më të mëdhenj të ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën.

Të shtunën, qeveria gjermane njoftoi 2.7 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, që është paketa më e madhe e tillë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar, dhe u zotua të vazhdojë të mbështesë Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme.