Vendet evropiane duhet të përgatiten për sulme nga aktorë jo-shtetërorë, përfshirë rrjete kriminale, grupe terroriste dhe sulmues të vetmuar, ndërsa teknologjia e dronëve po përparon, ka paralajmëruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas ka thënë se nuk është më vetëm “një i çmendur i pasur si Putini” që mund të përballojë sulme masive, teksa ka prezantuar të martën teknologjinë më të fundit para deputetëve dhe anëtarëve të Dhomës së Lordëve në Britani.
Zelensky ka thënë se regjimet në Moskë dhe Teheran janë “vëllezër të udhëhequr nga urrejtja”, teksa Rusia përdor dronët Shahed të projektuar nga Irani, si dhe variante të veta, për të sulmuar infrastrukturën kritike në Ukrainë.
Vizita e Zelenskyt në Mbretërinë e Bashkuar erdhi në një kohë kur kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se Perëndimi nuk duhet të “humbasë fokusin” nga Ukraina, mes shqetësimeve se konflikti me Iranin ka ringjallur ekonominë e dobësuar të Rusisë duke rritur të ardhurat nga nafta dhe se Kievi mund të mbetet pa sisteme të mbrojtjes ajrore që po dërgohen në Lindjen e Mesme.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një shtet që nis sulme, ne duhet të jemi të përgatitur për çdo lloj goditjeje, përfshirë nga aktorë jo-shtetërorë, rrjete kriminale, grupe terroriste dhe madje edhe sulmues të vetmuar që mund të kenë qasje në teknologji të tilla”, ka deklaruar Zelensky.
“Me përhapjen e dronëve, sulmet masive nuk kushtojnë më miliarda. Ato kushtojnë shumë më pak. Nuk është më vetëm një i çmendur i pasur si Putini që mund ta përballojë këtë; fatkeqësisht, edhe të tjerë mund ta bëjnë, ndërkohë që atij ende po i jepen para, ndërsa sanksionet ndaj tij po lehtësohen”, ka shtuar ai.



