Zelensky: Do ta rindërtojmë Ukrainën

Presidenti Volodymyr Zelensky në një adresim të mbajtur i ka kërkuar partnerëve të Ukrainës në mbarë botën që të ofrojnë zgjidhje të bazuara në realitet – jo në opinione abstrakte.

Ai ka thënë se udhëheqësit po mblidhen për të diskutuar luftën dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke shtuar se ai e di se cilët nga ata liderë po mbështesin Ukrainën.

Zelensky ka folur për luftën që po zhvillohet në vendin e tij, duke thënë se burrat dhe gratë ukrainase po mbrojnë shtetin e tyre për të pesëmbëdhjetën ditë – dhe kanë zmbrapsur sulmet në zona kyçe.

Presidenti ukrainas ka konfirmuar vrasjen  e tre personave, përfshirë një fëmijë, kur forcat ruse bombarduan spitalin e maternitetit në Mariupol dhe thotë se pretendimi i Rusisë se nuk kishte pacientë në spital është gënjeshtër.

Ai akuzoi rusët se kanë shkaktuar një katastrofë humanitare.

“Më është thyer zemra nga ajo që pushtuesit u kanë bërë qyteteve tona, shtetit tonë”.

Ai thotë se Rusia dëshiron të poshtërojë popullin ukrainas dhe “t’i bëjë ata të gjunjëzohen dhe të marrin bukë e ujë nga duart e tyre”.

“Ne nuk u bëmë skllevër dhe nuk do të bëhemi kurrë – sepse ky është shpirti ynë dhe ky është fati ynë”.

Duke folur për të ardhmen, Zelensky tha se pas luftës gjithçka do të rindërtohet në standardet më të larta dhe se planifikimi për këtë është duke u bërë nga qeveria.

“Nuk do të mbetet asnjë gjurmë nga pushtimi rus”.