Zelensky akuzon disa liderë arabë se po mbyllin sytë ndaj pushtimit rus

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar disa liderë arabë se “kanë mbyllur njërin sy” karshi pushtimit të Rusisë.

Këto deklarime, kreu ukrainas i bëri gjatë një vizite në Arabinë Saudite, teksa pritet që të marrë pjesë edhe në Samitin G7 në Hiroshima, në një përpjekje për të siguruar mbështetje të mëtejshme ushtarake.

“Fatkeqësisht, ka disa në botë dhe këtu mes jush që mbyllin sytë ndaj atyre kafazeve [të burgosurve të luftës] dhe aneksimeve të paligjshme”.

“Unë jam këtu në mënyrë që të gjithë të mund të hedhin një vështrim të sinqertë, pavarësisht se sa fort përpiqen rusët të ndikojnë”, tha Zelensky, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Vendi pritës, Arabia Saudite ka ecur në një linjë delikate për konfliktin – nga njëra anë duke mbështetur një rezolutë të OKB-së që i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj dhe duke premtuar 400 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, ndërsa nga ana tjetër duke i rezistuar vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, duke preferuar për ta parë veten si neutral ndaj konfliktit.