Pas raportimeve të mediave se Volodymyr Zelensky përfundimisht nuk do ta vizitojë Serbinë, Zyra e Presidentit të Ukrainës njoftoi se ky udhëtim do të realizohet në një datë të mëvonshme. Informacioni u konfirmua nga Dmytro Lytvyn, këshilltar për komunikim i presidentit ukrainas.
“U vendos që datat e tjera do të ishin më të përshtatshme, ndërsa Kachka do të udhëtojë atje për momentin për të përgatitur terrenin për çështje të caktuara”, tha Lytvyn në përgjigje të pyetjeve të mediave lidhur me vizitën e Zelenskyt në Serbi.
Televizioni serb N1 kishte raportuar më herët, duke u thirrur në burime nga Beogradi, se një delegacion ukrainas pritej të mbërrinte në Serbi më vonë gjatë kësaj jave dhe se vetë Zelensky mund të ishte në krye të tij. Megjithatë, mediumi ukrainas ZN.UA raportoi më pas se në Beograd pritet të udhëtojë Taras Kachka, Zëvendëskryeministër i Ukrainës për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike.
Marrëdhëniet midis Kievit dhe Beogradit kanë qenë prej kohësh të ndërlikuara për shkak të qëndrimit tradicionalisht pro-rus të Serbisë.(INA)



