Zelandë e Re, terroristi që sulmoi xhaminë në Christchurch shpallet fajtor

“Supremacisti i bardhë” australian, i akuzuar për ekzekutimin e 51 besimtarëve muslimanë vitin e kaluar në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re ka pranuar fajësinë për të gjitha akuzat, njoftoi sot policia, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në Gjykatën e Lartë në Christchurch, Brenton Tuarant pranoi 51 akuzat për vrasje, 40 akuza për vrasje të mbetur në tentativë dhe një akuzë për përfshirje në veprim terrorist”, tha komisioneri i policisë, Mike Bush në një deklaratë.

29-vjeçari më parë kishte mohuar akuzat dhe ishte parashikuar të dilte në gjyq në qershor.

Ai nuk shfaqi emocione ndërsa u paraqit përmes video-lidhjes në gjykatë rreth orës 10:00 të mëngjesit sot sipas kohës lokale njoftoi Radio Zelanda e Re.

Sulmet me armë në xhaminë Al Noor dhe Qendrën Islamike të Linwood gjatë namazit të xhumasë më 15 mars 2019 shkaktuan tronditje në të gjithë botën.

Dy imamë të xhamive ishin të pranishëm në sallën e gjyqit si përfaqësues të viktimave.

“Derisa seanca dëgjimore e dënimit është ende në pritje, pranimi i sotëm i fajësisë është një moment historik i rëndësishëm për një nga ditët tona më të errëta”, thuhet në deklaratën e policisë.

Deklarata gjithashtu përmendi se dënimi nuk do të shqiptohet deri sa të bëhet e mundur që të gjithë viktimat që dëshirojnë të marrin pjesë në seancë ta bëjnë këtë.

“Për shkak të epidemisë Covid-19, kjo nuk do të jetë e mundur për një kohë. Prandaj, i pandehuri është dërguar më tej në paraburgim deri më 1 maj 2020, në të cilën kohë do të rishikohet gjendja, ku do të vendoset një datë e dënimit ose do të vazhdohet qëndrimi në paraburgim”, shtoi ajo.