Analisti Milaim Zeka ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila në postimin e saj për Ditën e Çlirimit nuk ka përmendur askund Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjë që ka nxitur shumë reagime në opinion.
Zeka ka thënë se Gërvalla duhet falënderuar publikisht për këtë urrejtje patologjike që ka ndaj UÇK-së, ndërsa ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti “mendojnë edhe më zi”, shkruan lajmi.net.
“Duhet me falënderu publikisht Doniken për këtë urrejtje patologjike që ka ndaj UÇK-së. Akoma më zi mendon Vjosa me Albinin, po kur e kanë mashën Donike, pse me i prekë gacat me dorë”, ka shkruar Zeka.
Tutje, Zeka ka thënë se ministrja Gërvalla do të zbulonte vrasësit e babait të saj, heroit Jusuf Gërvalla, nëse këtë urrejtje do ta kishte ndaj Serbisë.
“Me pasë Donika të njëjtën urrejtje për Beogradin sikurse për UÇK-në, kaherë i kishte zbulu vrasësit e babait!”, ka shkruar Zeka.
Kujtojmë se reagimet ndaj ministres erdhën pasi që në postimin e saj në Facebook, falënderoi KFOR-in e NATO-n, por nuk përmendi UÇK-në.
“Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vetë Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar. Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm. 12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës”, thuhej në postimin e djeshëm të Gërvallës.
 
		



