Është zbuluar se Rusia po e ndihmon Iranin në luftë përmes teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës ushtarake, përfshirë pamje satelitore që ndihmojnë në identifikimin e objektivave amerikane.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Moska i ka dhënë Teheranit informacione të ndjeshme mbi pozicionet e forcave amerikane në Lindjen e Mesme, duke përfshirë anije luftarake dhe aeroplanë.
Këto të dhëna e ndihmojnë Iranin të kryejë sulme më të sakta ndaj objektivave amerikane, shkruan wallstreetjournal.
Përveç kësaj, Rusia ka ndarë edhe imazhe satelitore dhe përvojë taktike, veçanërisht nga lufta në Ukrainë, duke e përmirësuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të zbuluar dhe goditur objektivat.
Analistët theksojnë se Irani nuk ka një rrjet të mjaftueshëm satelitësh për zbulim ushtarak, prandaj mbështetja ruse është vendimtare për të ndjekur lëvizjet e forcave amerikane dhe izraelite me saktësi më të madhe.
Gjithashtu, bashkëpunimi përfshin edhe teknologji të dronëve, si dronët “Shahed”, si dhe këshilla strategjike për përdorimin e tyre në sulme të koordinuara.
Sipas informacioneve nga burime të inteligjencës perëndimore dhe të Lindjes së Mesme, mbështetja ruse për Iranin përfshin:
Modifikimin e dronëve: Furnizohen komponentë për dronët Shahed që përmirësojnë drejtpërdrejt komunikimin, navigimin dhe saktësinë gjatë goditjes së objektivave.
Këshillim taktik: Duke u bazuar në përvojën nga fronti i luftës në Ukrainë, Rusia këshillon forcat iraniane se sa dronë duhet të përdoren në një sulm të vetëm (të ashtuquajtur “tufa” ose “roje”) dhe nga çfarë lartësish duhet të operojnë.
Zbulim satelitor: Rusia u vë në dispozicion drejtpërdrejt pamje satelitore nga sistemi që menaxhohet nga Forcat Ajrore-Hapësinore Ruse (VKS). Këto të dhëna zbulojnë vendndodhjet e sakta të trupave amerikane dhe aleatëve të tyre rajonal.
Megjithëse Rusia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftime, ajo po luan një rol të rëndësishëm në prapavijë përmes mbështetjes informative dhe teknologjike, duke i mundësuar Iranit të përmirësojë kapacitetet e tij ushtarake pa ndërhyrje të hapur në konflikt.




