Ka qenë një sezon me ulje-ngritje për Lamine Yamalin, i cili në javët e fundit ka filluar t’i rikthehet nivelit të tij më të mirë te Barcelona.
Në fazën e hershme të edicionit, talenti i ri kishte probleme me pubalgjinë, gjë që ndikoi ndjeshëm në disa nga paraqitjet e tij.
Problemi u evidentua për herë të parë në muajin shtator dhe u përkeqësua gjatë angazhimeve me përfaqësuesen e Spanjës, çka bëri që Yamal të mungonte për disa javë.
Megjithatë, edhe pas rikuperimit fillestar, shqetësimi nuk u zhduk plotësisht.
Siç ka shpjeguar Santi Ovalle për Cadena SER, Lamine Yamal “nuk e dinte për dëmtimin, gjë që është normale, sepse është i ri dhe për të ishte diçka e re.
“Kishte ditë kur ishte perfekt dhe papritur një ditë tjetër dhimbja kthehej… dhe kjo e frustronte”, kanë thënë rrethi i ngushtë i futbollistit.
Pikërisht për këtë arsye, ai e pati të vështirë ta tejkalonte problemin, por situata u përmirësua dukshëm që nga muaji nëntor.
Në atë periudhë, Yamal iu nënshtrua një ndërhyrjeje të lehtë me radiofrekuencë në Belgjikë, e cila pastroi zonën e prekur nga pubalgjia.
Në javët pas ndërhyrjes, ai ende ndiente dhimbje herë pas here, por stafi mjekësor i Barcelonës e këshilloi të vazhdonte punën specifike në atë zonë, edhe në ditët kur nuk kishte dhimbje.
Ky moment rezultoi vendimtar dhe tani problemi konsiderohet pothuajse i tejkaluar.
Lamine Yamal e ka përballuar situatën me bindjen se do të bënte gjithçka për ta kapërcyer pubalgjinë dhe, për fat të mirë për të dhe për Barcelonën, duket se ia ka dalë, edhe pse menaxhimi i ngarkesës do të vazhdojë me kujdes.




