Zbulohet rasti i parë me “Omicron” në SHBA, kreu i OKB-së kundër mbylljes së kufijve

Zbulohet edhe në SHBA rasti i pari i të infektuarit me variantin e ri të covid-19, Omicron. Bëhet fjalë për një person në Kaliforni, i cili së fundmi ishte kthyer nga Afrika e Jugut.

“Individi është karantinuar dhe janë gjurmuar të gjithë personat që kanë qënë në kontakt me të, e të gjithë janë testuar negativisht. I infektuari është i vaksinuar dhe ka simptoma të lehta. Është duke u përmirësuar”, u shpreh Anthony Fauci, kryekëshilltar Mjekësor i Presidentit.

Që nga java e shkuar kur autoritetet në Afrikën e Jugut identifikuan variantin e ri të paktën 23 shtete kanë raportuar se kanë të infektuar me Omicron.

Shfaqja e mutacionit ka bërë që SHBA dhe shumë shtete të tjera të kufizojnë udhëtimet me shtetet e Afrikës së Jugut. Një masë që kritikohet nga shefi i OKB-së, Antonio Guterres.

“Me një virus që është vërtet pa kufij, kufizimet e udhëtimit që izolojnë një vend apo rajon jo vetëm që janë thellësisht të padrejta dhe ndëshkuese, por janë joefektive”, tha Antonio Guterres, kreu i OKB-së.