Zbardhet mashtrimi: Rama i rriti në mënyrë artificiale shifrat e eksporteve

Nga janari në korrik 2025, të dhënat mbi tregtinë dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës shfaqën diferenca të pazakonta.

Psh, në korrik, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) raportoi se importet nga Shqipëria arritën vetëm 24 milionë euro, ndërsa sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) eksportet shqiptare drejt Kosovës për të njëjtën periudhë u regjistruan në 6,4 miliardë lekë, ose rreth 64 milionë euro. Pra, për të njëjtën kategori mallrash, raportimi i Kosovës është 62 % më i ulët se ai i Shqipërisë.

Ky hendek nuk është i rastësishëm. Ai u thellua që nga janari i këtij viti, kur INSTAT filloi të përfshinte si “eksporte” edhe mallrat që thjesht kalojnë tranzit nëpër Shqipëri për t’u dërguar, por që përfundimisht hyjnë në Kosovë. Ky ri-klasifikim e rriti dukshëm vlerën e eksporteve shqiptare drejt Kosovës, duke krijuar një pamje më optimiste se realiteti.

Për gjithë shtatë-mujorin e parë të 2025-s, sipas ASK-së, importet e Kosovës nga Shqipëria arritën rreth 180 milionë euro. INSTAT, nga ana tjetër, deklaroi se eksportet shqiptare drejt Kosovës për të njëjtën periudhë ishin gati 410 milionë euro, më shumë se dyfishi.

Ndërsa Kosova shënoi një rënie 13 % të importeve nga Shqipëria krahasuar me 7-mujorin e 2024-s, Shqipëria raportoi një rritje prej 72 % të eksporteve.

Mospërputhje të tilla në statistikat tregtare janë të njohura mes vendeve, shpesh për shkak të kurseve të këmbimit, metodologjive të ndryshme matjeje dhe kohës së regjistrimit të mallrave.

Por në këtë rast, burime të Monitor theksojnë se diferenca është veçanërisht e theksuar për shkak të përfshirjes së mallrave tranzit si eksporte shqiptare, një praktikë që aktualisht po rishikohet.

Pa këtë ndërhyrje metodologjike, rritja e raportuar e eksporteve shqiptare drejt Kosovës do të ishte shumë më e ulët, madje me tendencë rënëse.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në periudhën janar–gusht 2025, vlera e përgjithshme e eksporteve shqiptare arriti 264,7 miliardë lekë, me një rritje mesatare prej 3,5 %. Rritja u mbështet kryesisht nga grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, i cili kontribuoi me +10 pikë përqindjeje në total.

Pikërisht ky grup ka ndikuar shumë edhe në shifrat e larta drejt Kosovës. INSTAT raporton se shitjet për në Kosovë u rritën me 75,5 % gjatë tetë-mujorit dhe pothuajse u dyfishuan në gusht (+94,6 %), duke kompensuar rënien e eksporteve në destinacionet kryesore si Italia dhe Maqedonia e Veriut.

Rritja e fortë e eksporteve me Kosovën ka të bëjë me faktin se që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte, duke ndikuar në zgjerimin e fortë të eksporteve në vlerë.

Megjithatë, duke hequr efektin e ri-klasifikimit të mallrave tranzit, prirja reale e eksporteve shqiptare mbetet negative. Llogaritjet tregojnë se eksportet reale janë tkurrur me rreth 8–9 miliardë lekë, ose të paktën me –3 %.

Kjo tregon se rritja e fortë në tregtinë me Kosovën nuk pasqyron forcimin e vërtetë të prodhimit apo të eksporteve shqiptare, por kryesisht një ndryshim teknik që, nëse korrigjohet, do të zbulojë rënien e eksporteve./MONITOR

Image

© SYRI.net