Zaharieva në vet-izolim pas takimit në Berlin

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme në Bullgari, Ekaterina Zaharieva është në vetizolim dhe po pret rezultatin e testit për Covid-19, njoftoi Ministria e Jashtme Bullgare.

Zaharieva është izoluar pasi zëvendës ministri, Petko Dojkov ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në një test të shpejtë. Dojkov gjithashtu ka qenë pjesë e delegacionit bullgar që të hënën zhvilloi takim me delegacionin nga Maqedonia e Veriut.

Përveç Zaharieva dhe Dojkov, të gjithë anëtarët e delegacionit bullgar që ishte në Berlin janë në izolim.

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani kanë qenë pjesë e delegacionit maqedonas në Berlin, takim ky që u realizua me ftesë të ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mas dhe ministrit për Evropë, Michael Roth.

Për momentin, nuk ka asnjë informacion nga Sekretariati për Çështje Evropiane ose nga Ministria e Punëve të Jashtme, nëse dikush prej delegacionit maqedonas do të duhet të futet në vet-izolim.