Kryeministri Zoran Zaev nuk e ka pranuar kërkesën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski që bashkërisht me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.




Ai ka deklaruar, se përfundimisht duhet të ndalojmë me zgjedhjet e parakohshme, pasi siç tha, e bllokojnë zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkaq ka këshilluar që në vend të zgjedhjeve, të mbathen dorezat dhe të punohet për zhvillim të vendit.
“Përfundimisht duhet të ndalojmë me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare i ndalojnë investimet me kapacitete të larta në prodhim dhe e dëmtojnë ekonominë. Shteti e ka të qartë drejtimin kah shkon, evropianizimi vazhdon. Të gjitha vendimet e vështira që u morën në të kaluarën, ishin për shkak të standardit ekonomik. Për hapjen e vendeve të reja të punës, t’i motivojmë investitorët, të rrisin kapacitetin prodhues dhe me këtë edhe Prodhimin Bruto-vendor dhe me këtë edhe mirëqenien e shtetit. Vrapimi pas zgjedhjeve do të thotë edhe bllokim i këtyre proceseve, për këtë, zgjedhjet e rregullta janë në vitin 2024. Deri atëherë, të gjithë duhet, duke filluar nga unë, komunat, pushteti ekzekutiv t’i mbathim dorëzat dhe të punojmë”, tha Zaev nga Shtipi, transmeton TV21.
Ndërkaq ditë më parë, Mickoski duke u thirr në atë se shumica parlamentare nuk është stabile, ka kërkuar që bashkërisht me zgjedhjet lokale që priten të mbahen gjatë kësaj vjeshte, të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare./TV21