Zaev pas takimit me Hotin: Për rreth dy vite, Shkup-Prishtinë për vetëm 45 minuta

Kryeministri Zoran Zaev, pas takimit me homologun e tij kosovar Avdullah Hoti, theksoi se autostrada Shkup-Bllacë pritet të ndërtohet brenda dy viteve e gjysmë. Zaev theksoi se me përfundimin e ndërtimit të autostradës do të shkurtohet bindshëm relacioni Shkup-Prishtinë.

“40 deri 45 minuta do të zgjasë udhëtimi Prishtinë-Shkup, tenderi për pjesën e parë ka përfunduar…Pjesa e dytë është në përfundim të shpronësimit. Nëse i kryejmnë këto punë deri në fund të vitit, në fillim të vitit të ardhshëm, ose në tremujorin e parë të vitit 2021 do të fillojmë me realizimin e plotë të autostradës. Sipas projekteve të BERZH kjo është planifikuar të zgjasë 3-4 vite, unë besoj se për dy vite e gjysmë do të mbarojë, sepse jemi në shek.21 me mekanizma të mirë do të arrijmë “, tha mes tjerash Zaev.

Zaev theksoi se me kryeministrin Hoti kanë biseduar edhe për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, lidhjen e dy kryeqyteteve me gaz natyror, hapjen e kufirit “One Stop Shop”, përgatitja e dokumenteve për lidhje të Tetovës me Prizrenin, dhe shumë projekte tjera me përmbajtje ekonomike./Alsat