Zaev padit Nikollovskin për shpifje për “reket”!

“Paratë nga “Reket” duhet të kërkohen tek Zaev” ishte deklarata e Boki 13, që si dëshmi në gjykatë e prezantoi Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE. Kjo deklaratë u prezantua si kundërpërgjigje ndaj Zaevit, i cili e ka paditur Nikollovskin për shpifje dhe prishje të imazhit.

“Sot jemi në gjyq për shkak se Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE, pa asnjë dëshmi pohoi se Zoran Zaev është organizator i Reketit, i cili si kryetar i LSDM-së ka reketuar shumë biznesmenë në vlerë prej 20 milion eurove. Unë pohoj se ky proces është truk i VMRO-DPMNE-së, nga prapaskenat e tyre, gjithsesi për të gjitha ato që flet pa i argumentuar, duke më fajësuar pikërisht mua, kërkoj përgjegjësi penale dhe pres që gjykata ta konfirmojë se bëhet fjalë për shpifje, ofendim dhe shkatërrim të imazhit dhe nderit tim”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

E Aleksandër Nikollovski tha se është i bindur në besueshmërinë e deklaratës së tij. Ai tha se në kupolën e Reketit, nuk është reketuar vetëm një biznesmen por një numër i madh biznesmenësh e në të është e përfshirë e gjithë piramida e LSDM-së.

“Nuk bëhet fjalë për një rast të vogël, ku rastësisht është reketuar një biznesmen, por janë reketuar shumë biznesmenë dhe bëhet fjalë për një shumë të madhe parash, diku mbi 20 milionë euro. Në atë skenë nuk janë të përfshirë vetëm Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva, por është përfshirë gjithë piramida e LSDM-së e cila përfundon me liderin e tyre dhe kryeministrin Zoran Zaev”, theksoi Aleksandër Nikollovski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Seanca e radhës gjyqësore ku do të merren në pyetje Nikollovski dhe Zaevi është më 6 prill. Nikollovski ka vlerësuar se padia është absurde dhe tha se deri tani nuk ka një shembull të tillë ku një kryeministër dhe lider i partisë qeveritare padit një nënkryetar të partisë opozitare. Zaevi e padit Nikollovskin për deklaratë të dhënë në gusht të vitit të kaluar lidhur me rastin “Reket” ku e akuzon se është në majë të piramidës që ka zhvatur mbi 20 milionë euro./TV21