Zaev: Nuk i konsultoj partitë për Minishengenin

Kryeministri Zoran Zaev fton partitë politike shqiptare të sqarojnë përse e kundërshtojnë Mini-Shengenin Ballkanik. Zaev madje thotë se nuk është i obliguar t’i konsultojë subjektet politike për të kryer punën e tij. Ai këmbëngul se nisma është e mirë dhe do ta përmirësojë jetën e qytetarëve.

Ajo që duhet të bëjë një kryetar qeverie nuk është të konsultohet me partitë politike për ta kryer punën e tij si kryetar qeverie. I ftoj të gjithë të tregojnë kundër çfarë janë! A janë kundër asaj se duam t’i zvogëlojmë 100% pritjet nëpër kufij, ku për momentin i gjithë Ballkani Perëndimor humb 1 miliard euro në vit. Duam ta zhdukim nervozizmin e pritjes nëpër kufijtë, tani shkojmë me paraqitje elektronike kur e kaloni kufirin pa ndalur – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev vlerëson se Kosova gabon me mos-pjesëmarrje, pasi nëse ulet në tavolinën rajonale do të ketë mundësi t’i zgjidh shumë çështje. Nga ana tjetër, pikërisht mos-pjesëmarrja e Kosovës është arsyeja kryesore pse për partitë shqiptare Mini-Shengeni Ballkanik është i papranueshëm.

Për partnerin e koalicionit qeveritar, BDI-në iniciativa do të ishte e pranueshme vetëm në rast se do të merrnin pjesë të gjitha 6 shtetet e rajonit. Ndërsa në takime të marrin pjesë edhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së. Sipas Alternativës duhet integrim brenda-kombëtar para integrimit ballkanik dhe një nismë rajonale pa Kosovën nuk ka kuptim. Aleancën për Shqiptarët konsideron se çdo nismë rajonale shkon përmes Kosovës, ndërsa druan se përmes kësaj nisme ku bën pjesë edhe Serbia mund të thellohet ndikimi rus në rajon. Sipas Lëvizjes Besa qasja jo-inkluzive është e padrejtë dhe nuk garanton jetë-gjatësi. Të shtunën, në Tiranë u mbajt takimi i tretë mes kryeministrave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, Rama e Zaev dhe presidentëve të Malit të Zi dhe Serbisë, Gjukanoviq dhe Vuçiq. Me ç’rast BE-ja premtoi 1,2 miliardë euro për projekte të ndryshme.