Zaev nga Brukseli pret atë që kanë premtuar

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev sot ka udhëtuar për në Bruksel, për të marrë pjesë në darkën e përbashkët të punës me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ftesë të nënkryetarit të BE-së Josep Borrel. Në takim do të diskutohen çështjet aktuale për rajonin në kontekst të progresit të vendeve në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Zaev në një deklaratë të dhënë para takimit me nënkryetarin e KE-së, dhe Përfaqësuesin e lartë për siguri dhe politikë të jashtë të BE-së Zhozep Borrell, deklaroi se Maqedonia e Veriut i ka përfunduar të gjitha obligimet që dalin nga lista me kritere për fillimin e negociatave me BE-në.

“RMV-ja ka përfunduar të gjitha obligimet që dalin nga lista me kritere për fillimin e procesit përfundimtar të negociatave për aderim në BE. Këtë KE-ja e ka njohur dhe në raportet për progresin e vendit në Këshillin Evropian edhe deri tek liderët e vendeve anëtare të BE-së, shumë qartë e bëri me dije se vendi ka rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave”, deklaroi Zaev.

Mes tjerash Zaev shtoi se BE-ja duhet ta mbajë premtimin, pasi që sipas tij, Maqedonia e Veriut ka bërë shumë punë.

“Përfaqëuesit e BE-së e dijnë dhe kuptojnë se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe asnjëherë nuk do të jenë në temë e negociatave. E dijnë dhe e kuptojnë se kjo as që ka qenë e as që duhet të jetë në tryezën për bisedime për anëtarësimin e RMV-së në BE” – ka deklaruar Kryeministri Zaev.