Zaev: Janë regjistruar 200 mijë mërgimtarë, ne të gjithë e dimë se diaspora është e madhe

Kryeministri Zoran Zaev ka folur për regjistrimin që përfundoi dje.

Duke komentuar të dhënat që u publikuan nga Enti Shtetëror i Statistikave mbrëmë, Zaev tha se të gjithë e dimë se diaspora është shumë më e madhe nga sa është regjistruar.

Megjithatë shtoi se kjo nuk paraqet problem për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

“E gjithë diaspora nuk është regjistruar. E di se diku 200 mijë nga diaspora janë regjistruar, kurse ne të gjithë e dimë se diaspora është e madhe. Të gjithë e dimë se ata janë shtetas tanë dhe në bazë të shtetësisë ata kanë adresat e banimit këtu dhe janë në listat zgjedhore dhe kur ta shihni numrin e përgjithshëm e kuptoni se pse jemi rreth 1 milion e 800 mijë votues kurse 1 milion e 800, sa publikoi Statistika janë qytetarë që jetojnë këtu në shtet”, tha Zaev, transmeton TV21.

Ndërkaq dje, u shpall i përfunduar regjistrimi në vend, ndërkaq për 6 muaj pritet të publikohen rezultatet nga ky proces statistikor që u realizua në Maqedoninë e Veriut pas 20 vjetësh.