Zaev dhe Radev me pritje të kundërta nga takimi i Komisionit maqedono-bullgar

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe presidenti bullgar, Rumen Radev, para përmbylljes së mbledhjes së komisionit të përbashkët të historianëve të dy vendeve, kanë dalë me pikëpamje të kundërta rreth epilogut të takimit dy ditor. Përderisa i pari shpreson se vetëm me zgjidhje kompromisi mund të përmbyllen kontestet dhe të forcohet miqësia mes dy popujve, presidenti bullgar ka thënë se me historinë nuk mund të bëhen kompromise.

Rumen Radev, president i Bullgarisë

“Anëtarët e Komisionit të Bullgarisë dhe të Maqedonisë janë profesionistë, ata do ta kërkojnë dhe do ta mbrojnë, sikurse si deri më tani, të vërtetën historike dhe interesin kombëtar bullgar. Mesazhi im për ta është se politikanët nuk mund të abdikojnë nga ky proces i rëndësishëm për Bullgarinë dhe për Maqedoninë dhe BE-në. Është koha të gjendet zgjidhje politike që do t’i konfirmojë të gjitha parimet e respektimit të historisë dhe fqinjësisë së mirë dhe respektimin e identitetit tonë dhe gjuhës. Gjithmonë ka hapësirë për kompromise, por ato nuk mund të bëhen me historinë, identitetin dhe gjuhën, ose me kërkesat për pakicat nacionale”

Edhe përkundër këtyre deklaratave, kryeministri Zoran Zaev, vazhdon me optimizmin e tij duke thënë madje se nuk ka as plan B se si do të veprojë nëse historianët nuk gjejnë zgjidhje dhe nëse Bullgaria nuk lejon hapërimin e vendit drejt BE-së. Zaev shpresat më së shumti i ka mbështetur tek homologu i tij, Bojko Borisov.

Zoran Zaev

“Prej kur jam kryeministër, deri më tani asnjëherë nuk kam menduar për plan B. Opsioni është plani A. përmes durimit, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, të gjindet zgjidhje dhe besoj se ata zgjidhje janë të mundshme edhe për sfidën aktuale. Ata zgjidhje nuk është patjetër të gjinden sot. Dje kanë pasur një ditë pozitive, do të publikojnë në pres konferencë për atë se deri ku kanë arritur punët. Ne jemi të lidhur historikisht mes veti si rajon dhe ajo lidhje nga e kaluara duhet të na bëjë miq dhe jo të na ndajë. Pason periudhë e publikimit të informatave pozitive”

Zaev nuk ka dhënë përgjigje të prerë as në pyetjen se si do të veprojë nëse Bullgaria bllokon fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, duke thënë se për këtë do të përgjigjet vetëm nëse vijmë në atë situatë. Duke folur për figurën e Goce Dellçevit që u bë mollë sherri mes dy vendeve, Zaev tha se ai duhet ti bashkojë dhe jo ti ndajë dy popujt, duke shtuar se nëse ai nuk do të kishte ekzistuar, do të duhej ta shpiknin për ti bashkuar dy popujt.