Zadorozhnjuk: Për momentin vetëm disa ukrainas kanë kërkuar azil në RMV

Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut thotë se qëllimi kryesor i autoriteteve ruse për momentin është “t’i zgjerojnë kufijtë e të lejuarës dhe ta ndryshojnë arkitekturën e sigurisë së Evropës”. Që të arrihet paqe, është e nevojshme mposhtja morale dhe materiale e “Rusisë së Putinit”, thekson Natalija Zadorozhnjuk në bisedë për Klan Maqedoni, në të kundërt do të ketë vetëm armëpushim të përkohshëm. Sipas saj trupat ruse me granatimin e rrugëve dhe të hekurudhavee pengojnë edhe dërgesën e ndihmës humanitare për civilët të cilët ende janë në Ukrainë, në vendet me aktivitete luftarake. Në Maqedoninë e Veriut për momentin rreth 200 ukrainas kanë kërkuar ndihmë nga Kryqi i Kuq, ndërsa shumë familje i drejtohen ambasadës për të ofruar strehim për regugjatët.

Gjithë bota i ka parë pasojat e tmerrshme të luftës në Ukrainë pas largimit të ushtrisë nga Buça, Irpini dhe vende të tjera nga rrethina e Kievit, që meriton hetim nga institucionet ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit. Ambasadorja e Ukrainës, Natalija Zadorozhnjuk shton se ky është edhe një fakt se Ukraina duhet ta fitojë luftën, gjë për të cilën edhe tani, edhe në të ardhmen do të ketë nevojë për ndihmë nga vendet perëndimore.

NATALI ZADOROZHNJUK, AMBASADORE E UKRAINËS, RMV

“Është i nevojshëm plan i ri i Marshallit, sepse ne luftojmë jo vetëm për lirinë tonë, ne luftojmë për vlera të përbashkëta evropiane. Ne nuk mund të humbim sepse atëherë për botën gjithçka do të ndryshojë për të keq. Krahas luftës me Ukrainën, detyra kryesore e Putinit tani është t’i zgjerojë kufijtë e të lejuarës, ta ndryshojë arkitekturën e sigurisë, ta shfrytëzojë të drejtën e forcës, dhe jo forcën e të drejtës. Për këtë arsye është e domosdoshme, madje është vitale disfata morale dhe materuale e “Rusisë së Putinit”. Në të kundërt nuk do të ketë paqe, por vetëm armëpushim të përkohshëm.”

Forcat ruse, sipas Zadorozhnjuk, e pengojnë edhe dërgimin e ndihmës humanitare për civilët të cilët ende ndodhen në vendet ku luftohet.

NATALI ZADOROZHNJUK, AMBASADORE E UKRAINËS, RMV

“Trupat ruse me granatime kanë shkatërruar rrugë, ura dhe hekurudha. Jeni në dijeni për rastin e tmerrshëm në stacionit e trenit në Kramatorsk, si rezultat it ë cilit humbën jetën rreth 60 civilë, prej të cilëve shtatë fëmijë. Këta njerëz dëshironin të udhëtojnë me tren në qytete më të sigurta. Ukraina së bashku me vendet tjera partnere dhe organizatata ndërkombëtare nuk e ndërpret punën për formimin e qendrave humanitare, vende për strehim jtë përkohshëm dhe pika për ndihmë humanitare.”

Nga Maqedonia e Veriut deri më tani janë dërguar rreth 120 tonë ndihmë humanitare për Ukrainën, ndërsa në vendin tonë ndihmë kanë kërkuar mbi 200 persona të ardhur nga Ukraina.

NATALI ZADOROZHNJUK, AMBASADORE E UKRAINËS, RMV

“Për momentin nuk ka shumë ukrainas që kanë kërkuar azil në Maqedoninë e Veriut. Sipas Kryqit të Kuq si refugjatë që kanë nevojë për ndihmë janë paraqitur 213, prej të cilëve 170 gjenden në Shkup. Ka edhe në Kumanovë, Strugë, Kriva Pallankë, Veles, Manastir, Ohër.”

Shumica e ukrainasve janë vendosur te familjarët dhe miqtë e tyre në vend, thekson ambasadorja, pro shton se ka edhe shumë njerëz nga Maqedonia e Veriut të cilët kanë ofruar strehim për refugjatët në shtëpitë e tyre./KlanMacedonia/