Zadorozhnjuk: Pas luftës në Ukrainë do të ketë ndryshime rrënjësore në politikën botërore

Pas luftës së nisur nga Rusia, do të ketë ndryshime rrënjësore, jo vetëm në politikën evropiane por edhe në atë botërore, tha në intervistën për MIA-n ambasadorja e Ukrainës në vend Natalia Zadorozhnjuk.

Për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, ambasadorja Zadorozhnjuk tha se Kievi tani po punon që të kalojë shpejt procedurën speciale dhe Ukraina të bëhet anëtare e BE-së.

“Gjithçka varet nga vullneti politik i Evropës, mbi të cilin po punon Kievi. Bashkimi Evropian tani po ndërmerr hapa të paprecedentë për të mbështetur Ukrainën. Do të presim përgjigjen e Komisionit Evropian”, tha Zadorozhnjuk për MIA-n.

Sipas saj, për të ndalur veprimet luftarake nga Rusia nevojiten sanksione të ashpra dhe sigurimi i armëve, si dhe mbyllja e qiellit mbi Ukrainën.

Ambasadore Zadorozhnjuk, u shpall një plan paqeje prej 15 pikash midis Rusisë dhe Ukrainës, duke përfshirë një armëpushim dhe tërheqjen e Rusisë, me kusht që Kievi të deklarojë neutralitet dhe të pranojë kufizime ndaj forcave të tij të armatosura. Sa i pranueshëm është ky plan për Kievin për ndërprerjen e veprimeve luftarake?

“Fajnanshel Tajms” publikoi një draft që tregon kërkesën e palës ruse. Dhe asgjë më shumë. Pala ukrainase ka pozicionet e saj. E vetmja gjë që konfirmojmë në këtë fazë është një armëpushim dhe tërheqja e trupave ruse.

Ambasadore, sipas informacioneve të fundit, në vend kanë mbërritur 51 refugjatë ukrainas. Ku ndodhen, çfarë u nevojitet? Sipas zyrtarëve të Shkupit, nuk pritet fluks më i madh i refugjatëve, por edhe nëse kjo ndodh, nuk përjashtohet mundësia e krijimit të objekteve për përkujdesje.

Sot nuk ka asnjë valë të madhe refugjatësh nga Ukraina në Maqedoninë e Veriut. Shumica e njerëzve janë akomoduar tek miqtë dhe të afërmit. Shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut telefonojnë dhe vijnë në Ambasadë dhe ofrojnë akomodim për qytetarët tanë, për çka u jemi jashtëzakonisht mirënjohës.

Aktualisht jemi duke punuar me agjencitë përkatëse qeveritare për të siguruar që qytetarët tanë të kenë mundësinë të kërkojnë kujdes mjekësor kur është e nevojshme dhe që fëmijët të ndjekin shkolla dhe kopshte. Sot kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për këtë çështje.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut deri më tani kanë dhuruar mbi 2,7 milionë denarë ndihma humanitare për Ukrainën dhe para disa ditësh janë hapur dy pika për ndihma humanitare për Ukrainën. Çfarë dhurohet më shumë dhe çfarë është më e nevojshme për popullin e Ukrainës?

I jemi mirënjohës Kryqit të Kuq për këtë iniciativë. Aktualisht, në Ukrainë ekziston nevoja më e madhe për të gjitha llojet e ushqimeve, veçanërisht ato afatgjatë, ilaçe (veçanërisht për dhimbjet), produkte higjienike dhe rroba të ngrohta. Pikërisht këtë pikët tona humanitare marrin më shumë si ndihmë nga kompanitë dhe qytetarët e thjeshtë të cilëve u jemi shumë mirënjohës dhe vlerësojmë simpatinë e tyre ndaj Ukrainës në këto momente. Gjithashtu dua t’ju informoj se ne kemi dërguar tashmë rreth 100 tonë ndihma humanitare në Ukrainë me ndihmën e Ambasadës dhe Shoqatës së Ukrainës.

Bashkimi Evropian, si dhe Maqedonia e Veriut, kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Pasuan sanksione kundër Rusisë dhe BE-ja miratoi të martën një paketë të katërt sanksionesh kundër Moskës. Sipas jush, a janë sanksionet zgjidhja e duhur dhe a do të kontribuojnë ato në zgjidhjen e konfliktit?

Sipas mendimit tim, një zgjidhje efektive përbëhet nga dy faktorë – sigurimi i armëve dhe sanksionet e ashpra. Furnizimi në kohë i Ukrainës me armët e nevojshme për mbrojtje. Ne duhet të mbyllim urgjentisht qiellin sepse regjimi fashist i Putinit me raketat, bombardimet, shkatërron infrastrukturën civile, granaton zonat e banuara, përdor artileri, raketahedhës me shumë tyta dhe raketa balistike, përdor armë të ndaluara, hedh fosfate. Rreth 4000 objekte të infrastrukturës civile u shkatërruan dhe u rrënuan duke përfshirë 500 institucione arsimore (kopshte fëmijësh, shkolla, institute), spitale (rreth 200), tempuj, teatro dhe muzeume.

Sanksionet e rrepta ekzistojnë dhe do të intensifikohen. Falimentimi për Rusinë është i pashmangshëm, ekonomia ruse është tashmë në recesion për shumë vite, norma mesatare e rritjes së ekonomisë ruse deri në vitin 2029 vlerësohet në një për qind, sistemi financiar po bie në mënyrë katastrofike, tregtimi në Bursën e Moskës është ndalur. Sipas shumicës së ekspertëve, ka vetëm një vonesë në njohjen e falimentimit të vërtetë kaskadik të sistemit bankar rus.

Sipas një studimi të ekonomistëve rusë të kryer nga Banka Qendrore e Rusisë në fillim të marsit 2022, rënia e PBB-së reale pritet të jetë në nivelin tetë deri në dhjetë për qind, inflacioni në 20 për qind. Kështu, ekonomia ruse hyn në një periudhë recesioni afatgjatë dhe pjesëmarrje të kufizuar në ekonominë botërore. Ekonomia ruse po përballet me një dalje apo rrjedhje të kapitalit të huaj, mundësi jashtëzakonisht të kufizuara për përfshirje të jashtme, mungesë të komponentëve të importuar që nuk mund të zëvendësohen pa një rritje të konsiderueshme të çmimit.

Shumica e kompanive dhe markave kryesore në botë janë larguar nga Rusia. Dhe kjo prodhon papunësi të mundshme për dhjetë milionë rusë. Rusia është në izolim të plotë ekonomik dhe financiar. Sa më e shpejtë dhe më e prekshme të jetë goditja ndaj regjimit të Putinit, aq më shpejt “qytetarët rusë do të zgjohen” dhe ndoshta më në fund do të fillojnë të bëjnë diçka për të ndaluar këtë luftë të çmendur të nisur nga sundimtari i tyre.

Në Samitin e BE-së në Versajë u përjashtua mundësia e anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE. Udhëheqësit e BE-së kanë thënë se nuk ka lëshime për kriteret dhe se do të jetë një proces i gjatë. Për krahasim, Maqedonia e Veriut është në sallën e pritjes së BE-së që nga viti 2005 kur fitoi statusin e kandidatit, por ne ende nuk i kemi filluar negociatat. A mendoni se kjo do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës duke qenë se ky është një proces i gjatë, a duhet të presë Kievi kaq gjatë?

Bota po ndryshon kaq shpejt në ditët e sotme sa është shumë e vështirë të parashikosh ndonjë gjë. Dhe sigurisht, pas kësaj lufte të nisur nga Rusia, do të ketë ndryshime rrënjësore jo vetëm në politikën evropiane, por edhe në atë botërore. Sa i përket BE-së, ne tani po punojmë për kalimin e shpejtë të procedurës speciale dhe për ta bërë Ukrainën anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithçka varet nga vullneti politik i Evropës, mbi të cilin po punon Kievi. Bashkimi Evropian tani po ndërmerr hapa të paprecedentë për të mbështetur Ukrainën. Do të presim përgjigjen e Komisionit Evropian.

Në këtë kontekst, dua të citoj ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmitro Kuleba, i cili tha se “Bashkimi Evropian ka dëshmuar se është një forcë e aftë për të marrë vendime jetike kur ka vullnetin dhe dëshirën politike për ta bërë këtë. Tani, në të njëjtën mënyrë duhet të merret edhe vendimi i Ukrainës për anëtarësimin në BE dhe ne jemi të gatshëm t’i kalojmë të gjitha procedurat shumë shpejt.

Gati tre javë pas pushtimit rus të Ukrainës, numri i ukrainasve që ikin jashtë vendit është pothuajse tre milionë, kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, BE-ja ka hapur dyert e saj për refugjatët, duke u ofruar atyre të drejtën për të qëndruar dhe punuar në BE deri në tre vjet. A mendoni se kjo mund të jetë një zëvendësim për anëtarësimin e drejtpërdrejtë në Bashkimin Evropian?

Kjo pyetje nuk është e saktë. Tani ka luftë, po vriten njerëz, po vdesin fëmijë. Dhe njerëzit shpëtojnë jetën e tyre dhe jetën e fëmijëve të tyre. Dhe ata largohen nga vendi me dhunë, jo me vullnetin e tyre të lirë. Ata do të donin të qëndronin në Ukrainë, në shtëpitë e tyre, me miqtë dhe familjen e tyre. Dhe ata do të kthehen menjëherë, sapo të ketë një mundësi të tillë, kur Rusia të tërhiqet nga vendi ynë.

Dhe të jesh anëtar i Bashkimit Evropian është krejtësisht ndryshe. Është ndërtimi i drejtë i të gjithë shtetit, shteti ligjor për të gjithë, respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia, liria, institucionet shtetërore efektive dhe efikase, ekonomia liberale etj. Ne si shtet dhe çdo ukrainas do të bëjmë çmos që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhemi anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.

NATO-ja e mbështet Ukrainën duke dërguar ndihma ushtarake, por nuk dëshiron të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se ishte përgjegjësi e Aleancës që të mos përhapte konfliktin e Ukrainës në vende të tjera dhe të mbronte çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Presidenti Volodimir Zelenski po i kërkon NATO-s të krijojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke pranuar se “dera për hyrjen e drejtpërdrejtë në NATO është e mbyllur”. Si i komentoni të gjitha këto?

Në këtë kontekst, dua të citoj edhe një herë ministrin tim duke thënë se Putini e ndjen shumë mirë frikën. Dhe asgjë nuk e provokon atë më shumë se frika. Prandaj, momenti vendimtar kur NATO-ja do të sulmohet do të jetë momenti kur do të ndiejë frikë nga NATO-ja dhe jo momenti kur disa vende të NATO-s do të na dorëzojnë avionë.

Për sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në NATO, sipas sondazheve të fundit, mbështetja e qytetarëve ukrainas për anëtarësim në Aleancë arrin në 76 për qind. Dhe unë do të citoj fjalët e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg i cili tha se “Vendimi për t’u anëtarësuar në NATO mbetet një e drejtë sovrane e Ukrainës”. Dhe siç e përmenda në këtë intervistë, bota po ndryshon aq shpejt sa është e pamundur të parashikosh diçka jo vetëm në planin afatgjatë, por edhe në atë afatmesëm.

Ukraina e gjen veten në prag të një katastrofe bërthamore me sulmin në termocentralin bërthamor të Zaporozhjes. Nga Rusia ka pretendime se në Ukrainë ka laboratorë të armëve biologjike. A janë këto akuza të pabaza të Moskës apo alibi për pushtimin rus?

Rusia po zhvillon në mënyrë aktive një fushatë dezinformimi. Shumica e vendeve në botë tashmë e kanë kuptuar këtë, prandaj po mbyllin mediat e tyre të rreme propagandistike. Si shembull, qëllimi i sulmit në Ukrainë. Unë citoj Lavrov i cili tha “Ne sulmuam Ukrainën, sepse Ukraina mund të ishte ajo që do të sulmonte”. Shumë bindëse, apo jo? Ose Putin: “Ukrainasit dhe rusët janë një popull”. Dhe ja një tjetër falsifikim i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, apo Lavrovit: “Ukrainasit po zhvillojnë viruse biologjike që, duke i transmetuar përmes zogjve, mund t’i shfarosin sllavët me ADN-në e duhur” (ndoshta duke iu referuar rusëve). Pra, nëse jemi një komb, si mund të vrasin vetëm rusët këto viruse?! Disi është e gjitha shumë cinike dhe e ulët.

Por deklarata të tilla nga rusët nuk mund të mos na shqetësojnë. Ndoshta kjo është një përgatitje informative për provokimin e tyre real duke përdorur armë biologjike apo kimike nën flamur të rremë. Ukrainasit nuk janë kamikazë për të kryer një tragjedi bërthamore (me termocentralet bërthamore të Ukrainës), kimike ose biologjike në territorin e tyre. Dhe Rusia ka një “rekord” të gjatë dhe të mirë-dokumentuar të përdorimit të armëve kimike, përfshirë tentativa për vrasje dhe helmim të armiqve politikë dhe armët kimike janë përdorur më shumë se një herë në Siri. Të gjitha këto falsifikime, e gjithë kjo propagandë – janë një justifikim për luftën e saj të mëtejshme të qëllimshme, të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës.

Në një intervistë për MIA-n, ambasadorja ukrainas i listoi kontaktet dhe të dhënat për të gjithë ata që duan të dhurojnë për Ukrainën: Ambasada e Ukrainës mund të merret nga të gjithë qytetarët e interesuar në këto informata – numrin e telefonit +389 (2) 317-81 -20, emb_mk @ mfa.gov.ua, ndërsa donacionet dhe ndihmat mund të dërgohen në adresën e Ambasadës – rr. “Albert Shvajcer” 7/9 Shkup, ose në llogaritë e mëposhtme bankare, me shënimin “Fonde për të ndihmuar popullin e Ukrainës në luftën me Federatën Ruse”:

Company name: EMBASSY OF UKRAINE IN NORTH MACEDONIA

Address: Ul. Albert Svajcer 7/9 Skopje

Е.Д.Б.: 4030000392074

Acc. No.: 0270200018432 (USD, EUR)

Acc. No.: 300009001843215 (MKD)

IBAN: MK07300702000184330

BENEFICIARY’S BANK: Komercijalna banka AD Skopje, Ul. Orce Nikolov br.3, 1000 Skopje, North Macedonia

BIC/SWIFT CODE: KOBSMK2X

Neda Dimova Prokiq