Ylli i Man Utd do të largohet në janar – tri klube angleze kanë vendosur ofertat në tavolinë

Një lojtar i Manchester United pritet të largohet në janar, ku tashmë tri klube nga Liga Premier thuhet se janë të interesuara për transferimin e tij. 

Ruben Amorim pritet që ta përjetojë afatin e parë kalimtar me Manchester United, pasi të hapet afati kalimtar i janarit. 

Por, para hapjes së këtij afati, një lojtar tashmë thuhet se është afër largimit nga ‘Old Trafford’. 

Sipas një raportimi nga CaughtOffside, Victor Lindelof mund të largohet muajin e ardhshëm teksa suedezi ka oferta nga Newcastle United, West Ham dhe Everton. 

30-vjeçari gjithashtu ka oferta edhe jashtë Anglisë, ku në Itali besohet se Milan, Inter, Juventus, Lazio dhe Fiorentina, që të gjitha po ndjekin nga afër situatën e tij. 

Tutje sipas këtij raporti, ‘Djajtë e Kuq’ janë të gatshëm që ta shesin Lindelof, i cili edhe vet personalisht i ka komunikuar drejtuesve të klubit  dëshirën për t’u larguar. 

Kontrata e tij pritet që të skadojë verën e ardhshme që do të thotë se mund të largohet nga Unitedi si lojtar i lirë. 

Sidoqoftë, ekziston edhe një mundësi që ai të largohet nga janari për një shumë modeste të parave. 

Kjo pasi Unitedi do të kërkonte rreth 6 ose 7 milionë euro për ta lënë atë të largohet qysh në afatin kalimtar dimëror.