Xi : Kina është e gatshme të punojë me ShBA-në për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm

Arritjet në marrëdhëniet Kinë-ShBA kanë ardhur së pari falë përpjekjeve të popujve të të dy vendeve, tha presidenti kinez Xi Jinping në një letër përgjigjeje të enjten për znj. Sarah Lande, një mike e tij amerikane nga shteti i Ajovës.

Në letër Xi vuri në dukje gjithashtu se e ardhmja e marrëdhënieve dypalëshe varet nga brezat e rinj.

Duke cituar thënien kineze “Lexo 10 000 libra dhe udhëto 10 000 kilometra”, presidenti kinez ritheksoi se do të ftohen 50 000 të rinj amerikanë në Kinë për programe shkëmbimi dhe studimi në pesë vjetët e ardhshëm. “Unë shpresoj se më shumë të rinj nga ShBA-ja do ta vizitojnë Kinën, duke e parë Kinën me sytë e tyre, duke e dëgjuar Kinën me veshët e tyre dhe duke udhëtuar nëpër Kinë me këmbët e tyre, për të parë një Kinë të vërtetë,” u shpreh ai.

Duke vënë në dukje që Kina është vendi më i madh në zhvillim dhe ShBA-ja vendi më i madh i zhvilluar në botë, presidenti Xi shtoi se e ardhmja e këtij planeti ka nevojë për qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e marrëdhënieve kino-amerikane.

Sipas tij, Kina është e gatshme të punojë me ShBA-në për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt e për të ofruar më shumë produkte publike ndërkombëtare, duke ndërtuar së bashku një botë të hapur, gjithëpërfshirëse, të pastër e të bukur me paqe afatgjatë, siguri të përgjithshme dhe lulëzim të përbashkët.