Xi Jinping-u takohet me Antony Blinken

foto nga Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, që ndodhet për vizitë në Kinë.

Xi theksoi se bota është në zhvillim e sipër dhe kohët po ndryshojnë. Bota ka nevojë për marrëdhënie të qëndrueshme kino-amerikane dhe bashkëjetesa e duhur ndërmjet të dy vendeve ka të bëjë me të ardhmen dhe fatet e njerëzimit. Toka jonë ka hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e veçantë dhe lulëzimin e përbashkët të të dy vendeve, vuri në dukje kreu i shtetit i Kinës, duke shtuar që si populli kinez, ashtu edhe populli amerikan, kanë vetëvlerësim, vetëbesim e vetëpërmirësim dhe kanë të drejtë për kërkimin e një jete më të bukur. Interesave të përbashkët dypalësh duhet t’u kushtohet rëndësi dhe sukseset e secilës palë janë mundësi e jo kërcënim për palën tjetër, vuri në dukje presidenti Xi. Aktualisht, bashkësia ndërkombëtare është në përgjithësi e shqetësuar për marrëdhëniet kino-amerikane dhe nuk dëshiron të shikojë kundërvënie ndërmjet dy vendeve e të mbajë anën e ndonjë pale, por shpreson në bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin miqësor ndërmjet Kinës dhe ShBA-së. Të dyja vendet duhet të nisen nga qëndrimi i përgjegjshëm ndaj historisë, popullit e botës, t’i trajtojnë si duhet marrëdhëniet kino-amerikane, të japin kontribut për paqen e zhvillimin global dhe t’i sjellin botës së trazuar qëndrueshmëri, siguri dhe energji konstruktive.

Xi Jinping-u vuri në dukje më tej se konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha nuk përputhet me prirjen e kohës dhe nuk mund t’i zgjidhë problemet e vetë ShBA-së, si edhe sfidat që gjenden përpara botës. Kina e respekton ShBA-në dhe nuk do ta sfidojë ose zëvendësojë atë. Ndërkohë, edhe ShBA-ja duhet ta respektojë Kinën dhe të mos dëmtojë të drejtat dhe interesat e ligjshme të saj. Asnjë palë nuk duhet ta formësojë palën tjetër sipas vullnetit të vet, as t’i heqë të drejtën e zhvillimit palës tjetër. Pala kineze gjithmonë shpreson që marrëdhëniet ndërmjet Kinës e ShBA-së të jenë të shëndetshme e të qëndrueshme dhe beson se të dyja këto vende të mëdha do t’i kapërcejnë të gjitha vështirësitë dhe do të gjejnë rrugën për t’u marrë vesh me njëra-tjetrën, me anë të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta.

“Shpresoj se pala amerikane do ta mbajë një qëndrim të arsyeshëm e pragmatik dhe do të afrohet me palën kineze, duke bërë përpjekje të përbashkëta për konkretizimin e unanimitetit të arritur ndërmjet meje dhe presidentit Joe Biden gjatë takimit në ishullin Bali, për të stabilizuar dhe përmirësuar marrëdhëniet kino-amerikane,” tha Xi.

foto nga Xinhua

Sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken, nga ana e tij, i përcolli presidentit Xi Jinping përshëndetjet e presidentit Joe Biden. Ai tha që presidenti Biden beson se ShBA-ja e Kina kanë përgjegjësinë dhe detyrimin për trajtimin si duhet të marrëdhënieve dypalëshe, çka përputhet me interesat e ShBA-së e të Kinës, dhe madje të mbarë botës. Pala amerikane është e përkushtuar për kthimin në agjendën e përcaktuar në takimin ndërmjet dy udhëheqësve në ishullin Bali të Indonezisë. ShBA-ja respekton premtimin e bërë nga presidenti Biden, d.m.th. nuk kërkon “Luftë të Ftohtë të re”, ndryshimin e sistemit të Kinës dhe kundërvënien ndaj Kinës ndërmjet forcimit të aleancave, nuk përkrah “pavarësinë e Tajvanit” dhe nuk synon konflikt me Kinën. Po ashtu, pala amerikane shpreson të zhvillojë kontaktet e nivelit të lartë me Kinën, të ruajë shkëmbimet e lirshme, të kontrollojë mosmarrëveshjet në mënyrë të përgjegjshme dhe të synojë dialogun, shkëmbimet e bashkëpunimin.

Xi Jinping-u iu lut Blinken-it t’i transmetojë përshëndetjet e tij presidentit Biden. (Wang Lei/ Artan)