Xheneta Fetahu reagon pas intervistës emocionale: Çdo dhimbje shërohet, faleminderit për dashurinë më dhatë

Pas intervistës prekëse të dhënë në emisionin “S’e Luan Topi”, ku hapi zemrën për herë të parë për shumë çështje personale, mes tyre edhe për takimin e fundit me Gjestin në varrimin e vëllait të tij, Xheneta Fetahu ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale.

Në intervistë, Xheneta u përlot teksa tregonte se ishte ndjerë shumë keq për çfarë kishte ndodhur me Gjestin dhe se ende ruan ndjenja të sinqerta ndaj tij.

Ajo u shpreh se do të dëshironte një takim me të.

Reagimi i saj i plotë në rrjete sociale:

Pas intervistës sime te @seluantopi, kam marrë një lumë mesazhesh dashurie, mbështetjeje dhe emocionesh nga njerëz të panumërt. Ju falënderoj secilin prej jush që keni gjet pak kohë të më shkruani fjalë të ngrohta dhe energji pozitive.

Edhe pse nuk kam mundur t’ju kthej përgjigje të gjithëve, dua t’ju them nga zemra se çdo mesazh ka pas vlerë të madhe për mua.

Një falënderim i veçantë për @erjonarusi, për mënyrën si më dëgjoi, më kuptoi dhe më dha hapësirën të tregoj historinë time ashtu siç është – me ndjenja, me të vërteta dhe me shpirt.

Për të gjithë ata që po kalojnë momente të vështira: mos u dorëzoni. Çdo dhimbje e ka një qëllim, çdo plagë shërohet me kohë dhe çdo errësirë një ditë i lë vendin dritës. Forca, besimi dhe dashuria janë ato që na mbajnë gjallë.

Jeta s’është gjithmonë e lehtë, por është e bukur kur e jeton me zemër të pastër dhe shpresë në shpirt.

Me shumë dashuri,
Xhenki

Ky reagim vjen në një moment delikat për Xhenetën, e cila përmes fjalëve të saj ka treguar jo vetëm ndjeshmëri, por edhe forcë për të përballuar dhimbjet e së kaluarës. /Telegrafi/