Xhelal ZEJNELI: Fati tragjik i nënshkruesve të caktuar të Aktit të Pavarësisë (1912)

Ironia historike është se një pjesë e atyre që themeluan shtetin shqiptar u bënë më vonë viktima të vetë shtetit. Disa u vranë në konfliktet politike të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, disa përfunduan në emigracion, kurse të tjerë u burgosën, u ekzekutuan ose u persekutuan gjatë regjimit komunist.
Disa prej nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë të Vlorës së vitit 1912, u dënuam ose eliminuan nga regjimi i Ahmet Zogut, Disa të tjerë u dënuan ose u eliminuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë të qeverisë së Zogut, si kuislingë apo si bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë italian-gjermanë, disa u dënuan si pjesëtarë dhe përfaqësues të Ballit Kombëtar. Një pjesë e të akuzuarve ia dolën të largohen jashtë atdheut, për të mos u kthyer kurrë. Ata i lanë eshtrat në mërgim, në tokë të huaj. Regjimi komunist të gjithëve ua konfiskoi pasuritë, kurse familjet e të dënuarve i syrgjynosi anekënd Shqipërisë. Pasoja patën edhe pasardhësit e të akuzuarve dhe të dënuarve – nipat dhe mbesat.
Një regjim që tenton ta eliminojë djalin e Abdyl Frashërit, nipin e Naimit dhe të Samiut – Mit’hat Frashërin, vetëm pse na paskësh qenë i Ballit Kombëtar, është në anën e kundërt të historisë.
A mund ta paramendojë dikush që dora e shqiptarit ta ekzekutojë kryetarin e Kongresit të Manastirit, nënkryetarin e Komisionit për hartimin e alfabetit, pjesëmarrësin e Kuvendit të Vlorës, nënshkruesin e vendimit të shpalljes së pavarësisë?! Çfarë tmerri!
Ta asgjësojmë nipin e bilbilit të gjuhës sonë, për t’ia bërë qejfin Josip Brozit dhe Josip Stalinit!
Tifozët e Klubit të futbollit “Shkëndija” të Tetovës, quhen “ballistë”. S’ka kush e frenon tendencën historike.
* * *
Shumë prej 40 nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë si dhe të delegatëve të tjerë të Kuvendit të Vlorës, patën fate tragjike, duke u përballur me dënime, persekutime dhe ekzekutime, si gjatë regjimit të Ahmet Zogut (Kalaja e Burgajetit, 1895 – Suresnes, Francë, 1961) ashtu edhe gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës (Gjirokastër, 1908 – Tiranë, 1985).
* * *
Firmëtarët apo nënshkruesit e ndëshkuar gjatë regjimit të Ahmet Zogut – Gjatë periudhës së qeverisjes dhe mbretërimit të Ahmet Zogut, veçanërisht pas kryengritjes së vitit 1922 dhe dështimit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, disa prej firmëtarëve u gjendën në opozitë politike me të:
Luigj Gurakuqi (Shkodër, 1879 – Bari, Itali, 1925) – Pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit (Ibriktepe, Turqi, 1882 – Fort Lauderdejl, ShBA, 1965) në dhjetor 1924, Luigj Gurakuqi u detyrua të largohej në mërgim në Bari të Italisë, ku u vra në një atentat politik më 2 mars 1925 nga Balto Stambolla (Shkodër, 1891 – Peqin, 1942).
Sali Gjuka – Salih Gjuka – Dukagjini (1876 – 1925) – jurist, mësues, një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Lindi në Pejë në vitin 1876. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup. U regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën e atij qyteti. Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, punoi për çeljen e shkollës shqipe në Pejë. Në vitin 1910, me mbështetjen e Bajram Currit (1862-1925) dhe të Hasan Prishtinës (Vushtri, 1873 – Selanik, 1933) u bë mësuesi i parë i shqipes për nxënësit shqiptarë në shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Shkupit. Aty pati përkrahjen e atdhetarit Bedri Pejani (Pejë, 1885 – Prizren, 1946). Sali Gjuka mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik klubi “Bashkimi”, për përhapjen e gjuhës shqipe. Si përfaqësues nga Kosova dhe si delegat i Pejës, i Gjakovës, i Plavës dhe i Gucisë, mori pjesë në shpalljes e pavarësisë kombëtare dhe firmoi aktin me siglën “Salih Gjuka”. Ishte përkrahës i Lëvizjes së Qershorit të vitit 1924. U dënua me 10 vjet burg i akuzuar (të cilën e mohoi) për pjesëmarrje në vrasjen e njërit prej organizatorëve të Kongresit të Lushnjës, Abdyl bej Ypit (Visanckë, 1876/1878 – Durrës, 1920). Sali Gjuka vuajti 4 vjet burg dhe vdiq nga tuberkulozi në Berat, në vitin 1925.
Abdi Toptani (Tiranë, 1864 – Tiranë, 1942) – Ishte një prej drejtuesve të kryengritjeve antiosname, veprimtar i Pavarësisë së Shqipërisë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës. U dënua me vdekje nga gjykatat e kohës ngase mbështeti kryengritjen antiqeveritare të vitit 1922, të udhëhequr nga Bajram Curri dhe Elez Isuf Ndreu (F. Sllovë, Dibër, 1861 – Peshkopi, 1924). Pas protestave, Abdi Toptanit iu hoq dënimi me vdekje.
Qazim Kokoshi (Vlorë, 1882 – Vlorë, 1945/1947) u arrestua nga komunistët dhe vdiq prej torturave.
Ymer Deliallisi (Shijak, 1873 – Tiranë, 1944) i internuar nga nazistët, vdes në burg.
Xhemal Deliallisi (Shijak, 1880 – Tiranë, 1941) – E nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë me shënim në osmanisht “Xhemmalyyddin bej” Në vitin 1924 e mbështeti Revolucionin e qershorit të Fan Nolit. Pas dështimit të tij, u largua nga Shqipëria, për t’u rikthyer pas disa vitesh. Emri i tij haset edhe si Xhelal Deliallisi.
Dhimitër Mborja (Emanoil) (f. Mborje, Korçë, 1884 – Bukuresht, 1945) – tregtar dhe veprimtar patriotik. Në moshën 16-vjeçare, bashkë me familjen, emigroi në Bukuresht. Atje drejtoi klubin Carpati. Në emër të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, me siglën “Dh Emmanuel”, e nënshkroi Aktin e Pavarësisë. Ishte delegat në Kongresin e Triestes (1913) dhe këshilltar i Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit (1915). Mbështeti Fan Nolin dhe Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924. E dhuroi shtëpinë familjare për shkollën e fshatit, 1,000 napolona ari për qeverinë e përkohshme dhe një shtëpi në Korçë për Liceun Kombëtar Shqiptar. Pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, jetoi në ekzil (u detyrua të jetonte jashtë atdheut të vet). Më 1992 u nderua pas vdekjes me “Medaljen e Veprimtarisë Patriotike”.
Qemal Mullaj (1881/1882 – 1966) – politikan dhe atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë Si mbështetës i Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, pas kthimit të Zogut në pushtet, u detyrua të largohej nga atdheu. Disa që emigruan, u kthyen pas amnistisë mbretërore, ndërsa të tjerë, përgjithmonë mbetën në emigracion.
* * *
Firmëtarët e ndëshkuar nga regjimi komunist – Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në nëntor 1944, ata nënshkrues të Pavarësisë që ishin ende gjallë dhe nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin e ri (ose që kishin mbajtur poste gjatë Luftës së Dytë Botërore) u goditën rëndë, duke u ekzekutuar, burgosur ose fshirë nga tekstet e historisë:
Lef Nosi (Elbasan, 1877 – Tiranë, 1946) u ekzekutua më 1946; Qazim Kokoshi* vdiq pas burgosjes, Shefqet Daiu* dhe Zihni Kanina* vdiqën në burg, ndërsa Mit’hat Frashëri* përfundoi jetën në emigracion.
* * *
Lef Nosi* (Elefter Nosi; 9 prill 1877 – shkurt 1946) ishte politikan, botues, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, ku përfaqësoi Elbasanin. Lindi më 9 prill 1877 në Elbasan, në një familje tregtare. Kreu gjimnazin në Athinë dhe dy vjet studime universitare. Shërbeu si Ministër i Postë-Telegrafëve (1912–1914) dhe Ministër i Ekonomisë dhe Marrëdhënieve Shoqërore (1918–1919). Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte anëtar i Ballit Kombëtar, Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943) dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës (1943–1944).
Qazim Kokoshi (Vlorë, 1882 – burgu i Vlorës, 1945/1947 ) – kreu gjimnazin Zosimea, ishte anëtar i klubit “Labëria”. Më 1912 ishte delegat i Kuvendit të Vlorës dhe firmëtar (nënshkrues) i aktit të Pavarësisë. Gjatë viteve 1913–1914 shërbeu si nënprefekt i Lushnjës dhe kryesekretar i prefekturës së Vlorës. Në vitin 1920 drejtoi luftën e Vlorës. Më 1921 u zgjodh deputet në parlamentin e Shqipërisë. Më 1924 iu bashkua opozitës së Fan Nolit dhe të Luigj Gurakuqit. Emigroi në Itali dhe në Austri. U kthye më 1928. Më 1932 u arrestua në Lëvizjen e Vlorës. U lirua më 1936. U internua në Bergamo nga Gestapo. U arrestua nga regjimi komunist. Vdiq në vitin 1945 (ose në tetor 1947) nga torturat në burgun e Vlorës.
Shefqet Daiu (i njohur edhe si Shefqet Dajiu, 1882–1946) ishte jurist, arsimtar, deputet dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi në Elbasan më 1882. Kreu shkollën “Idadije” në vendlindje dhe më 1905 u diplomua për drejtësi në Stamboll. Punoi si prefekt dhe nënprefekt (ndër të tjera në Skrapar e Pogradec), kontribuoi në Kongresin e Elbasanit dhe në hapjen e Shkollës Normale (1909). Në vitet 1911-1912 dha mësim shqip në Dibër dhe shpërndau tekste shkollore. Përfaqësoi Elbasanin si delegat në Kuvendin e Vlorës, shërbeu si sekretar i dytë i Kuvendit, e shkroi Aktin e Pavarësisë në osmanisht dhe e nënshkroi atë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1914-1920 ushtroi në Elbasan profesionin e avokatit. Në vitin 1919 botoi një abetare shqipe, bashkëpunoi me Aleksandër Xhuvanin (Elbasan, 1880 – Tiranë, 1961) në shoqërinë dhe në revistën “Kopshti letrar” dhe në vitet 1920 shërbeu si deputet në parlament. Pas vendosjes së regjimit komunist u arrestua dhe më 17 dhjetor 1945 u dënua me 30 vjet burg me sekuestrim pasurie. Vdiq në burg në vitin 1946.
Zihni Abaz Kanina Hamzaraj (1885-1959) lindi në Kaninë të Vlorës. Në vitin 1906 u emërua nëpunës i konsullatave turke në Greqi, në Bejrut, në Maltë, etj. Me t’u kthyer në Shqipëri u burgos prej autoriteteve turke. U aktivizua me grupet patriotike. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, e nënshkroi dokumentin e pavarësisë, me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Vitet e mëvonshme iu përkushtua mësimdhënies, sidomos dhënies së leksioneve për gjuhët e huaja. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah mikut të tij të vjetër të idealit Mid’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua në Tiranë nga regjimi komunist. Vdiq në burg.
Mit’hat Frashëri (i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo; Janinë, 1880 – Nju-Jork, 1949) ishte shkrimtar, diplomat, publicist dhe politikan shqiptar. Ishte bir i Abdyl Frashërit (Frashër, Shqipëri, 1839 – Stamboll, 1892) dhe i Ballkëzes së Ibrahim Laçit. Ai lindi në Janinë dhe vdiq në Nju Jork. Në nëntor të vitit 2018 eshtrat e tij u rivarrosën në Tiranë. Në vitin 1908 kryesoi Kongresin e Manastirit për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë dhe shërbeu si ministër i Punëve Botore në qeverinë e Ismail Qemalit (Vlorë, 1844 – Peruxhia, 1909). Në vitet 1920–1922 drejtoi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën Balli Kombëtar dhe më vonë, kryesoi në mërgim Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.
* * *
Pra, regjimi komunist i eliminoi nënshkruesit e poshtëshënuar, si:
Lef Nosi (Elbasan, 1877 – Tiranë, 1946) – U arrestua në vitin 1945 nën akuzën e bashkëpunimit me pushtuesit (si anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës). U dënua me vdekje dhe u pushkatua në Tiranë në vitin 1946. Pasuria dhe biblioteka e tij u konfiskuan.
Bedri Pejani (Pejë, 1885 – Prizren, 1946) – u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në Shqipëri dhe iu dorëzua autoriteteve komuniste jugosllave. Vdiq në rrethana të dyshimta. Dyshohet se u helmua në burgun apo në spitalin e Prizrenit në vitin 1946.
Shefqet Dajiu lindi në Elbasan në vitin 1882, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë, sekretar i Kuvendit të Vlorës. U arrestua nga regjimi komunist dhe vdiq në burg në vitin 1946.
Qazim Kokoshi (Vlorë, 1882 – Vlorë, 1947) – Pasi kishte qenë i internuar në kampet naziste në Itali, u arrestua nga komunistët sapo u kthye në atdhe dhe vdiq nën tortura në hetuesinë e Vlorës në vitin 1945. Sipas disa arkivave, vdiq në vitin 1947.
Zihni Abaz Kanina (Hamzaraj) (Kaninë të Vlorës, 1885 – burgu i Tiranës, 1959) – politikan, diplomat dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. U arrestua në vitin 1951. Vdiq në burgun e Tiranës në vitin 1959.
Ferit Vokopola (f. Vokopolë në qarkun e Beratit, 1887 – Durrës, 1969) – poet dhe publicist, i cili u arrestua dhe vuajti dënimin në burgjet komuniste.
* * *
Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë të cilët regjimi komunist i shpalli armiq të popullit dhe të cilët u detyruar të jetojnë në emigrim dhe të vdesin jashtë atdheut:
Mid’hat Frashëri (1880-1949);
Mustafa Merlika-Kruja (Krujë, 1887 – Ujëvara e Niagarës, Nju-Jork, 1958), në vitet 1941-1943 ishte kryeministër i Shqipërisë;
Rexhep Mitrovica (Mitrovicë e Veriut, 1888 – Stamboll, 1967) – veprimtar i çështjes kombëtare, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. Gjatë Luftës II Botërore, d.m.th. në vitet 1943-1944 ishte kryeministër i Shqipërisë. Rrjedh nga një familje e fisit Hot me prejardhje nga Shkodra. Mësimet fillore i mori në gjuhën turke në Mitrovicë. Në vitin shkollor 1902/1903, kur i mbushi 14 vjet, i vazhdoi mësimet në gjimnazin Mbretëror të Selanikut (lice turk). Shkollimin e lartë në Paris detyrohet ta ndërpresë pas dy vitesh prej vdekjes së të atit. Pas kthimit në Shkup, drejtoi aty një shkollë profesionale. Ngriti bibliotekë shkolle me rreth 700 libra. Në vitin 1908, bashkë me Bedri Pejanin dhe Sali Gjukën udhëhoqën një fushatë propagandistike, si parapërgatitje për Kongresin e Manastirit. Në prill të 1910 merr pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit. Merr pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912 ku firmos Rexhep. Ishte ai që i propozoi sekretarët e Kuvendit.
Në nëntor të viti 1944, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva (Mitrovicë e Veriut, 1904 – San Francisko, Kaliforni, 1978), Tahir Zajmi (Gjakovë, 1897 – Bruksel, 1971), Xhelal Mitrovica (Mitrovicë, 1916 – Toronto, 1974) – nëpunës, drejtor i Radio Prishtinës, deputet i Mitrovicës gjatë Mbretërisë Shqiptare dhe gazetar si dhe Rexhep Krasniqi (Gjakovë, 1906 – New York City, Nju-Jork, 1999), morën rrugën e mërgimit.
Rexhep Mitrovica u vendos në Turqi ku edhe vdiq.
Dhimitër Berati (Korçë, 1886/1888 – Romë, 1970) – ishte politikan, diplomat, publicist, mësues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. Në vitet 1941-1943, në kabinetin Kruja, u caktua ministër i Kulturës Popullore. Në prag të vendosjes së regjimit komunist, u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Romë. Shkroi artikuj në revistën “Shêjzat” të drejtuar nga Ernest Koliqi (Shkodër, 1903 – Romë, 1975).
* * *
Përveç ndëshkimit fizik, emrat e nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë – Lef Nosit (Elbasan, 1877 – Tiranë, 1946), Mid’hat Frashërit (1880-1949), Mustafa Krujës (Krujë, 1887 – Ujëvara e Niagarës, Nju-Jork, 1958) dhe Dom Nikollë Kaçorrit (Komuna Lurë, 1862 – Vjenë, 1917) regjimi komunist i fshiu nga kopjet e publikuara të dokumentit të Pavarësisë, i persekutoi anëtarët e familjeve të tyre dhe pasardhësit e disave prej tyre.
* * *
Për një pjesë të tyre, dënimi vijoi edhe pas vdekjes, në tekstet shkollore, enciklopeditë, muzetë dhe historinë zyrtare, ku kontributi në Pavarësi u retushua ose u fshi.
Kriteri vendimtar i vlerësimit nuk ishte kontributi në themelimin e shtetit, por pozicioni politik i individëve apo familjarëve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe raporti me pushtetin e ri.
Veprimtaria e vitit 1912 gjykohej sipas qëndrimeve të viteve 1941–1944 dhe më vonë, ndërsa breza të tërë shqiptarësh u edukuan me një histori të cunguar, ku legjitimiteti i regjimit kishte më shumë rëndësi sesa historia e themelimit të shtetit.
Xhelal Zejneli