Xhavid Nimani, për kohën e Jugosllavisë: Maqedonia çdo herë e përkrahte Serbinë kundër Kosovës!

Është menduar se politikanët sllovenë i kishim përkrahës, por rasti me Eduard Kardelin po tregonte një tjetër histori. Megjithatë, udhëheqja e Kosovës Eduard Kardelit i kërkoi ballafaqim, prandaj ai kishte ardhur në Kosovë.

Sllovenët i kishin përkrahur aspiratat dhe planet e Serbisë
Nimani: Natyrisht, sepse argumentet ishin në anën e Kosovës, fjala ishte për Kushtetutën e vitit 1974, e cila ishte arritur me mjete legale, me bisedime disavjeçare politike të popullit të Kosovës, nuk na e kishte falur askush, pra as Serbia dhe as Tito. Madje më 1977-n, duke e ditur se Kardeli kishe rënë pre e politikave agresive, nacionaliste antishqiptare të Serbisë, e ftuam për një vizitë në Kosovë. Po ashtu e dinim se ai ishte bashkëpunëtori më i afërt dhe më i besuar i Titos. Bisedat me të, pra lidhur me tendencat e Serbisë, të shprehura në dokumentin zyrtar të Serbisë, me emrin “Libri i Kaltër”, i zhvilluam edhe në Brezovicë, kuptohet pa praninë e asnjë udhëheqësi të Serbisë. Ai takim ishte shumë sekret, gjë që kuptohej edhe nga kërkesa e Eduard Kardelit, pra përfaqësues të cilin e kishte dërguar Tito në Kosovë dhe i cili paraprakisht na dha ultimatum që të mos incizohej takimi. Në të gjitha takimet, si në nivel federativ, si në “Librin e Kaltër”, folëm hapur dhe i kundërshtuam tendencat e Serbisë që të revidohej Kushtetuta e vitit 1974 si tendencë e hapur nacionaliste, serbomadhe, pra me objektivin për t’i zvogëluar kompetencat, të drejtat kushtetuese të Kosovës dhe për t’i kthyer një hap prapa: afirmimin politik, nacional, kulturor e ekonomik të shqiptarëve të Kosovës dhe të hungarezëve të Vojvodinës. Veçmas kundërshtimi ynë i rreptë ishte me Eduar Kardelin, të cilit ia bëmë me dije që udhëheqja dhe populli i Kosovës nuk tërhiqen për asnjë milimetër nga të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, të fituara, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.
Personalisht isha dëshmitar i debateve shumë të rënda politike, të cilat ne si shqiptarë të Kosovës i kishim me përfaqësuesit e Serbisë në nivel të Federatës jugosllave, por edhe në forumet e tjera. Është për t’u theksuar se edhe në “Librin e Kaltër” dhe tendencat e Serbisë përkrah udhëheqjes së Serbisë ishin edhe udhëheqësit e Malit të Zi dhe ata të Maqedonisë. Pra, gjithnjë në periudhën e viteve 1974-1981, kemi pasur konfrontime të vazhdueshme jo vetëm me udhëheqjen e Serbisë, por edhe me udhëheqjen e Malit të Zi, të Maqedonisë, herë-herë edhe me përfaqësuesit e Bosnjës e të Sllovenisë, të cilët herë-herë i përkrahnin tendencat shoviniste të Serbisë. Qëndrim konstruktiv ndaj çështjes së Kosovës kanë mbajtur përfaqësuesit e Kroacisë.

Fejton ekskluziv për gazetën “Zëri” nga Prof. dr. Agim Zogaj. Të gjitha të drejtat për ribotim janë të rezervuara! Këtë vazhdim të plotë mund ta lexoni në këtë link: https://zeri.info/dosier/393311/xhavid-nimani-deshmi-per-nje-epoke-1945-1981-viii/