Xhaferri-Mehmet Sekizqok-Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm i Turqisë

Kryetari i Kuvendit tët Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e jashtëzakonshëm të sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Hasan Mehmet Sekizqok.

Kryetari Xhaferi i uroi ambasadorit sukses në kryerjen e misionit të përgjegjshëm diplomatik dhe shprehu kënaqësi për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, sidomos për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy kuvendeve. Duke e theksuar rëndësinë e diplomacisë parlamentare, Xhaferi e potencoi mbështetjen e ndërsjellë në kuadër të asambleve parlamentare të NATO-s dhe Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Si shumë të rëndësishme e vlerësoi edhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se ushtarë tanë janë pjesë e kontingjentit turk në Misionin e NATO-s “Mbështetja e vendosur” në Afganistan. Njëkohësisht, ai falënderoi për ratifikimin e shpejtë të Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë.

Kryetari e informoi ambasadorin se në procedurë kuvendore është Propozim-ligji për të drejtat e bashkësive që janë më pak se 20% të popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe që ka për qëllim përmirësimin e implementimit të drejtave dhe përdorimin e gjuhës së bashkësive, ndër të cilat edhe të bashkësisë turke në vend.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Hasan Mehmet Sekizqok theksoi se Turqia e sheh Maqedoninë e Veriut si partner të rëndësishëm dhe të çmuar, ndërsa lidhjet historike dhe kulturore edhe më shumë i afrojnë të dy vendet. Ai theksoi se bashkësia turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila jep kontribut të rëndësishëm në jetën e suksesshme shumetnike kontribuon në masë të madhe në thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Ai u zotua për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik, duke nënvizuar se ekziston potencial për investime më të mëdha të kompanive turke në Maqedoninë e Veriut duke e marrë parasysh gjendjen marrëveshëse prej më shumë se 100 marrëveshje bilaterale që përfshijnë fusha të shumta me interes të përbashkët.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se vazhdimësia dhe thellimi i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, në masë të madhe mund të kontribuojnë për avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve.