Xhaferi takoi zv.ministrin e Jashtëm të Italisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Benedeto Della Vedova, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Republikës Italiane, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Xhaferi shprehu kënaqësi që marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Italiane janë tradicionalisht të mira dhe miqësore, kurse bashkëpunimi ekonomik e ruan trendin optimal. Theksoi se theks të veçantë vëmë në interesin për thellimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet dy parlamenteve, përforcimin e raporteve ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Italiane si aleatë të barabartë në NATO, si edhe ndërmjet dy delegacioneve tona në suazat e AP të NATO-s. Sidomos vlerësohet bashkëpunimi konstruktiv edhe në kuadër të Nismës Adriatiko – Joniane dhe Nismës Qendrore – Evropiane, ku Republika Italisë ka rol kryesor dhe aktiv dhe jep kontribut të fuqishëm në përforcimin e relacioneve të ndërsjella të vendeve – anëtare. Xhaferi falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Italian, i cili me rezolutat që i miraton jep përkrahje të sinqertë dhe të padyshimtë për eurointegrimet tona”, thuhet në kumtesë.

Della Vedova nga ana tjetër shprehu kënaqësi për bashkëpunimin tradicionalisht të mirë bilateral pa çështje të hapura, për relacionet e mira ndërmjet dy parlamenteve, a sidomos u përqendrua në aktivitetet intensive të institucioneve italiane në kuadër të BE-së për të siguruar fillimin e negociatave për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Informoi se qëndrimi i Qeverisë Italiane është hapja sa më e shpejtë e kornizës së negocimit, ndërsa çështjet e hapura bilaterale mos kenë ndikim mbi procesin e eurointegrimit dhe për propozimin italian që në diskutimet e radhës në konferencat për “Ardhmërinë e Evropës” detyrimisht të përfshihen politikat rinore, respektivisht zëri i të rinjve, dhe, jo vetëm i vendeve – anëtare të Be-së por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. U zotua për bashkëpunim më të fuqishëm tregtar ndërmjet dy vendeve, si edhe depërtim më të fuqishëm të investimeve italiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fushën e infrastrukturës rrugore dhe energjetikës.

Bashkëbiseduesit, siç theksohet në kumtesë ndanë këndvështrimet e përbashkëta rreth trendit të uljes së besueshmërisë së BE-së në këto hapësira, sidomos nëse vazhdohet me tempin e ngadalësuar të eurointegrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mandej droja nga ndikimet e mundshme të padashura të vendeve të treta, si edhe përforcimi i euroskepticizmit.

Bashkëbiseduesit e riafirmuan rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm politik në drejtim të përforcimit të bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral ndërmjet dy vendeve. U shprehën zotime për avancimin veçanërisht të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndarjen e përvojave të përbashkëta nga politika e jashtme dhe diplomacia parlamentare.