Xhaferi: Për shtyrjen e regjistrimit nevojitet vendim politik

Po dëgjoj se kërkohet të shtyhet regjistrimi për në muajin qershor-korrik, por për çdo shtyrje, duhet ndryshime ligjore dhe vullnet politik në Kuvend, kështu i ka komentuar ofertat e liderëve shtetëror dhe politik kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Ai ka pyetur, meqë kërkohet të shtyhet regjistrimi për dy muaj, a ka ndokush informacione se atëherë do të përfundojë pandemia me Covid-19?

“Sipas asaj që e dëgjoj kërkohet që regjistrimi të shtyhet për qershor dhe korrik. Në çka bazohet ai propozim? Në kontekst të Covid-19, çfarë do të nënkupton ajo. A ka ndokush informacion se në qershor do të përfundojë pandemia dhe do të mund ta realizojmë apo sërish do të vijmë në zbrazëtirë ligjore dhe atëherë do të hymë në kaos juridik”, tha Xhaferi në intervistë për MIA-n.

Sa i takon bojkotimit, thotë se ajo varet nga partitë, sepse partitë ose do të mblidhen për t’u marrë vesh se a do të shtyhet regjistrimi, apo secili do të vazhdojë me të veten. Disa duke insistuar që i njëjti të mbahet sipas zgjidhjes ligjore dhe të tjerët duke grumbulluar nënshkrime kundër tij.

Ideja për shtyrjen e Regjistrimit doli nga presidenti Stevo Pendarovski, si shenjë kompromisi mes pushtetit dhe opozitares VMRO-DPMNE, e cila sot ka filluar grumbullimin e nënshkrimeve për bojkotim të regjistrimit.

Ofertën e Pendarovskit e ka pranuar kryeministri Zoran Zaev, por ajo është kundërshtuar nga lideri opozitar, Hristijan Mickoski i cili a ka cilësuar të “vonuar ofertën” dhe ka propozuar që regjistrimi të mbahet në prill të 2022-s./TV21